Ka nisur sot programi i vaksinimit kundër gripit, pjesë e planit të vjeshtë-dimrit të autoriteteve shëndetësore për të minimizuar riskun nga komplikacionet që vijnë nga gripi stinor, sidomos në situatën e pandemisë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mborjtjes Sociale Ogerta Manastirliu ishte në Poliklinikën Qendrore në Tiranë, për nisjen e procesit të vaksinimit kundër gripit, që filloi me personelin shëndetësor.
“Këtë vit, edhe në kuadër të strategjisë tonë të vjeshtë-dimrit, edhe të kontrollit të sëmundjeve infektive, kemi arritur që në një kohë shumë të shpejtë të bëjmë të mundur sjelljen e vaksinës së gripit në muajin Shtator. Sot është dita e parë e nisjes së këtij programi, duke filluar me personelin shëndetësor”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se janë siguruar disa herë më shumë vaksina se një vit më parë.
“Bazuar edhe në rekomandimin e ekspertëve, ne ja kemi dalë të financojmë në kohë dhe të sigurojmë 368 mijë doza vaksinash, sasia e parë e të cilave ka mbërritur dhe ka nisur të shpërndahet në qendrat shëndetësore, me qëllim vaksnimin e kategorive të riskut, duke filluar nga personeli shëndetësor, duke vijuar me mësuesit, edukatorët, duke vazhduar me të sëmurët kronikë, me ata mbi 65 vjeç, fëmijët”, tha Manastirliu.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fico, theksoi se ka mbërritur sasia e parë në kohë edhe pse në situatë pandemie dhe do të vijohet me ardhjen e dozave të tjera, sipas planit.
“Këtë vit, përveçse shumëfishimit të numrit të vaksinave, duhet të mbajmë parasysh që në periudhën e pandemisë dhe globalisht, dërgesat vaksinale bëhen me porcione. Ne kemi marrë pjesën e parë dhe siç edhe e kemi gjykuar bazuar mbi ligjin e sëmundjeve infektive, fillojmë me punonjësit shëndetësor, të cilët siç e pamë edhe sot e kanë filluar vaksinimin”, tha Fico.
Përgjegjësja e Inteligjencës Epidemike në ISHP, Eugena Tomini, tha se nga vaksinimi do të përfitojnë disa grupe risku dhe në këtë situatë të shkaktuar nga COVID19, vaksinimi do të jetë një masë parandaluese që këto grupe risku të mos infektohen nga virozat që qarkullojnë meqënëse qarkullojne paralelisht me COVID19.
Vaksina kundër gripit është siguruar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale katër herë më shumë se një vit më parë dhe do të vijë të kryhet pas personelit shëndetësor edhe për grupet e tjera të riskut, falas, pranë qendrave shëndetësore, sipas një kalendari të përcaktuar nga vetë strukturat e shëndetësisë. Do të jenë mjekët e familjes që do të thërrasin personat e riskuar për kryerjen e vaksinës, sipas parashikimeve./mv. abcnews.al