Presidenti francez, Emmanuel Macron do t’i drejtohet kombit në një fjalim televiziv të hënën në mbrëmje teksa në Francë është rritur shqetësimi për shkak të një valë agresive të variantit Delta të Covid që mund të godasë vendin.
Sipas autoriteteve shëndetësore, varianti i virusit që u zbulua për herë të parë në Indi, aktualisht përbën shumicën e infektimeve të reja në Francë.
Ndërsa shtrimet në spital vazhdojnë të ulen me 947 persona në repartet e terapisë intensive, infektimet e reja po rriten. Të dielën, Franca raportoi 4,256 raste të reja krahasuar me 2,549 vetëm një javë më parë.
Ministri i Shëndetësisë Olivier Veran, të dielën paralajmëroi se rastet e reja ditore mund të shkojnë në mbi 20 mijë në fillim të Gushtit, nëse autoritetet shëndetësore nuk do të marrin masat e duhura.
Macron ka kryesuar një këshill të mbrojtjes shëndetësore të hënën në mëngjes për të diskutuar masat e reja me ministrat kryesorë të kabinetit. Sipas Zëvendës Ministrit për Çështjet Evropiane Clement Beaune, bërja e vaksinimit të detyrueshëm për të gjithë punonjësit shëndetësorë është një “opsion shumë i mundshëm”, me një ligj të ri që pritet të kalojë në fund të muajit.
Pritet gjithashtu që autoritetet shëndetësore t’i nxisin njerëzit për t’u vaksinuar. Aktualisht në Francë, 50% e popullsisë së rritur është vaksinuar plotësisht, ndërsa 65% ka marrë vetëm një dozë të vaksinës./abcnews.al