Nga Melvyn B.Krauss, Project Syndicate
Sado e çuditshme që mund të tingëllojë, vaksinat janë tashmë çelësi për të ringjallur marrëdhëniet transatlantike. Administrata e ish-presidentit Donald Trump që kishte moton “Amerika e Para”, i dobësoi shumë lidhjet midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj evropianë.
Prandaj në fjalimin e tij në Konferencën e Sigurisë së Mynihut në shkurt të këtij viti, presidenti amerikan Joe Biden mendoi se ishte me vend të riafirmonte mbështetjen e Amerikës ndaj Nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut:një sulm ndaj një anëtari të NATO-s, do të konsiderohet një sulm ndaj të gjithëve.
Kjo është një qasje e mirë. Por një fjalim është ende një fjalim, dhe disa pyesin veten se çfarë vlen Neni 5 dhe aleanca, kur mungesa e vaksinave kundër Covid-19 në Evropë po vë në rrezik jetën dhe jetesën evropiane, ndërsa SHBA po “noton” në qindra miliona doza vaksinash.
Administrata e Biden nuk ka ushtruar presion as për miratimin nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) të vaksinës britanike të Oxford-AstraZeneca, megjithëse ka porositur rreth 60 milion doza. Nuk ka asnjë dyshim mbi dëshirën e Biden për të ringjallur lidhjet me Evropën.
Prandaj, administrata e tij duhet që ta adresojë këtë çekuilibër të madh në shpërndarjen e vaksinave, dhe t’i ndihmojë evropianët në momentin që kanë më shumë nevojë. Dhe mënyra më e shpejtë për ta bërë këtë – dhe për ta forcuar marrëdhënien transatlantike – është prodhimi i përbashkët i vaksinave amerikano-evropiane në Evropë.
Në këtë rast ekipi i Biden duhet të ndjekë modelin e një marrëveshje shumë të suksesshme që ndërmjetësoi në SHBA, ku kompania “Merck” po prodhon miliona doza të vaksinës “Johnson & Johnson”.
Bashkëpunimi në prodhimin dhe shpërndarjen përtej kufijve, dhe madje edhe oqeaneve, është një mënyrë më efektive për të promovuar objektivat diplomatike, sesa thjesht shitja tek evropianët e furnizimeve me vaksina (megjithëse kjo e fundit është më mirë se sa asgjë, në një kohë kur Evropa mbetet shumë prapa SHBA-së, sa i përket vaksinimit të popullatës). Rusia, që nuk është e famshme për ndarjen e ndonjë gjëje, e kupton shumë mirë këtë, prandaj sapo ka nënshkruar një marrëveshje për ta prodhuar vaksinën e saj Sputnik V në Itali.
Ndërkohë raportohet se marrëveshje të ngjashme pritet të nënshkruhen me Francën, Gjermaninë dhe Spanjën.
Përmes marrëveshjeve të tilla, Kremlini ka arritur që të shfrytëzojë një fushë kritike, shëndetin publik, ndërsa po synon të përçajë dhe dobësojë më tej Bashkimin Evropian. Duke pasur parasysh këtë fakt, pyetja është:Pse qeveria amerikane nuk ka bërë më shumë për t’i nxitur kompanitë farmaceutike amerikane që të bien dakord mbi marrëveshjet e prodhimit të përbashkët me kompanitë farmaceutike evropiane?
Është e vërtetë, që“Pfizer/BioNTech” (kjo e dyta kompani gjermane) kanë nënshkruar një marrëveshje me Novartis për të prodhuar vaksinat e tyre në Marburg – 60 milion doza në muaj. Edhe vaksina e “Johnson& Johnson” po prodhohet në Leiden, teksa kompania ka nënshkruar në shkurt një marrëveshje me francezen “Sanofi’ për të prodhuar 12 milion doza në muaj në Marcy-l’Etoile të Francës.
Ndërkohë amerikania tjetër Moderna ka kontraktuar “Lonza Group” për të prodhuar vaksinën e saj në Zvicër. Por të gjitha këto lëvizje ndodhën shumë vonë (për shkak të Trump), dhe vetëm kur u bë e qartë se BE ishte shumë prapa me shpërndarjen e vaksinave për qytetarët e saj.
Dhe pamundësia e Amerikës për t’i dhënë vaksina Evropës, i dha shansin Rusisë dhe Kinës për ta pozicionuar veten si shpëtimtaret e shëndetit të evropianëve, gjë të cilën
po e shfrytëzojnë në maksimum. Duke nxitur ndërmarrjet e përbashkëta të prodhimit të vaksinave, do të forcohet edhe siguria kombëtare e SHBA-së, pa pasur nevojë për asnjë shpenzim shtesë në fushën e mbrojtjes.
Ashtu si SHBA-ja çimentoi lidhjet e saj me Evropën pas Luftës së Dytë Botërore me ndihmën e Planit Marshall, ajo duhet të inkurajojë aq shumë marrëveshje bashkëpunimi
për prodhimin e vaksinave sa evropianët kanë nevojë për të përmbushur nevojat e tyre.
Plani Marshall ndihmoi për t’i mbajtur sovjetikët larg Evropës Perëndimore. Sot prodhimi i përbashkët i vaksinave në Evropë, do të kufizonte ndikimin e keq (dhe të kushtueshëm) që po synojnë të ushtrojnë Rusia dhe Kina.
Për shembull, Hungaria po paguan shumë herë më tepër për vaksinat e saj kineze, sesa do të paguante për versionet e vaksinave britanike apo amerikane. Por vaksinat janë vetëm një pjesë e historisë. Administrata Biden, ka hedhur tashmë disa hapa me rëndësi për rregullimin e marrëdhënieve SHBA-Evropën, sidomos duke i dhënë fund një mosmarrëveshjeje të gjatë dhe helmuese mbi subvencionet e prodhimit të avionëve.
Biden dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ranë dakord në fillim të këtij muaji të pezullojnë të gjitha tarifat e vendosura për shkak të kësaj mosmarrëveshje për një periudhë fillestare prej 4 muajsh.
Rëndësia tregtare e kësaj marrëveshje, përputhet me rëndësinë e saj simbolike si një sinjal i një partneriteti transatlantik të ringjallur. Mosmarrëveshja mbi avionët kishte filluar gati 2 dekada më parë, dhe BE kishte vendosur tarifa mbi produktet amerikane me vlerë afërsisht 4 miliard dollarë, ndërsa SHBA vendosi tarifa në vlerë 7.5 miliard dollarë ndaj mallrave evropiane.
Por subvencionet e avionëve, nuk ishin çështja e vetme tregtare që ndante Evropën nga Amerika. Tarifat e vendosura nga Trump për çelikun dhe aluminin që vinte nga Evropa për arsye të sigurisë kombëtare, mbeten ende në fuqi.
Ndërkohë është edhe mosmarrëveshja mbi sanksionet e SHBA-së ndaj kompanive gjermane dhe të tjera të BE-së që janë angazhuat në ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream 2”, për të shpërndarë gazin natyror rus drejtpërdrejt në Gjermani, duke e anashkaluar Ukrainën dhe Poloninë.
E si mund të mos jenë skeptikë evropianë ndaj premtimit të Bidenit se “Amerika është rikthyer”, kur ai nuk pranon që t’i kundërshtojë proteksionistët e çelikut? Për Biden, ekziston frika se tarifat janë shumë popullore për votuesit e bardhë të klasës punëtore, dhe demokratët duan që t’i fitojnë sërish zgjedhjet në vitin 2024.
Për më tepër, republikanët dhe industria e çelikut dhe sindikatat e saj mbeten pas tyre.
Ruajtja e tarifave të çelikut nga Biden, përfaqëson një fitore të politikës së brendshme në kurriz të politikës së jashtme. Por Biden e di gjithashtu se një Amerikë e distancuar nga aleatët e saj është një Amerikë më e dobët.
Duke e ndihmuar Evropën që të prodhojë vaksina brenda BE-së ai jo vetëm që do të tregonte se Amerika është rikthyer në skenën globale, por se ajo është Amerika largpamëse e Planit Marshall, dhe jo një version karikaturesk i “Amerika e Para” të Donald Trumpit. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

