Pas kritikave të shumta që mori vitin e kaluar, vaksina ruse Sputnik V ka rezultuar 91.6% efektive kundër Covid dhe 100 % efektive kundër sëmundjeve të rënda, sipas një studimi.
Në studim janë përfshirë 19,866 pjesëmarrës, nga të cilët 14,964 morën vaksinën dhe 4,902 morën placebo. Pjesë e studimit ishin 2,144 persona mbi moshën 60 vjeç, dhe sipas të dhënave vaksina tregoi një efikasitet të ngjashëm prej 91.8%.
68 persona raportuan efekte anësore, duke përfshirë 45 në grupin e vaksinave dhe 23 në grupin e placebo, por asnjë prej efekteve anësore nuk ishte i lidhur me vaksinimin, sipas studimit. Shumica e efekteve anësore të raportuara ishin të lehta, të tilla si simptoma të ngjashme me gripin dhe dhimbje në vendin e injektimit.
Analiza përfshin vetëm raste simptomatike të Covid-19, dhe autorët kanë theksuar se nevojiten më shumë hulumtime për të kuptuar efikasitetin e vaksinës kundër rasteve asimptomatike të Covid-19 dhe se sa mund të zgjasë mbrojtja.
Vaksina merret me dy doza, me 21 ditë me diferencë. Është një qasje e ngjashme me vaksinat e zhvilluara nga AstraZeneca dhe Johnson & Johnson.
Sputnik V duhet të ruhet në frigorifer dhe kushton 10 dollarë një dozë. Vaksina Sputnik V është miratuar tashmë në Rusi, Bjellorusi, Serbi, Argjentinë, Bolivi, Algjeri, territoret Palestineze, Venezuelë, Paraguai, Turkmenistan, Hungari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Iran, Guinea, Tunizi dhe Armeni.
Mbi 2 milion njerëz në të gjithë botën janë vaksinuar me Sputnik V.
Rusia mori kritika të shumta nga shkencëtarët, kur njoftoi se kishte gati vaksinën e parë të aprovuar në botë të koronavirusit për përdorim publik në gusht – para se të kishin përfunduar provat vendimtare të Fazës 3./abcnews.al