Mes tejmbushjes me informacion, varianteve të reja të virusit, vaksinimit dhe pasaportizimit si pasojë e këtij të fundit, pikëpyetjet janë të shumta. Këto dhe shumë të tjera u vendosën në fokus sot në ‘Abc e Pasdites’, një program nga Ermal Peçi.
I ftuar në studio, zëvendës presidenti i Sindikatës së Pavarur të Arsimit Isa Halilaj në fjalën e tij shprehu se për arsimtarët një detyrim i vaksinimit është diçka e paarsyeshme. Teksa shprehej z. Halilaj tha se arsimtarët janë shtresa më e prekur duke shënuar 15 humbje jete vetëm vitin e shkuar.
Por ai i mëshoi faktit se vaksinimi duhet të organizohet duke pasur në mend shëndetin e personit që e merr, dhe sipas tij duhet të kategorizohen mësuesit dhe më pas të merren veprimet përkatëse. Jo vetëm kaq, sipas Halilaj një zgjidhje e mirë do të ishte bërja e tamponit çdo 5 ditë duke siguruar heqjen e shpenzimeve përkatëse.
Një qëndrim të kundërt shprehu psikiatria Arjana Rreli, sipas së cilës shkencës i duhet besuar verbërisht. Kjo e fundit tha se ishte e gatshme të bënte jo 2, por sa vaksina të ishte e nevojshme dhe të detyroheshin nga instancat përkatëse. Për Anaid Kalotin situata paraqitet kaotike. Sipas tij në Shqipëri masat nuk respektohen, por jo vetëm kaq.
Teksa radhiste disa aktivitete kulturore të cilat janë njëkohësisht dhe grumbullime masive, ai shprehu se këto koncerte të zhvilluara gjatë verës kanë qenë të financuara dhe organizuara nga bashkitë përkatëse ku ato zhvilloheshin.
“Rrinin afër, grumbull me njëri tjetrin, me lejen e bashkisë së Lezhës, financuar nga bashkia e Lezhës, ndërkohë në Tiranë lokalet mbylleshin që në 23.00. Para një jave në jug u bë një festival gjigand, po e njëjta gjë. Këtu nuk po i ruan njeri standardet. Ose dinë më shumë se ne dhe bëjnë si I do qejfi ose…
Kam takuar me qindra njerëz gjatë verës, më shumë se Trump, si unë nuk u sëmura? Të bëj vaksinën?” – vijoi Anaidi. Ndiqni debatin në kanalin tonë të Youtube. /abcnews.al