150 shkencëtarë përfshirë dhe 15 fitues të çmimit Nobel kërkojnë që të lejohet infektimi vullnetar me koronavirus, për të përshpejtuar kërkimet e një vaksine efikase, duke kuptuar nëse një prototip funksionon apo jo. Fillimisht një injektim i vaksinës në krah. Më pas një shiringë me koronavirus në hundë, shkruan la Repubblica.
“Lejojini vullnetarët të infektohen qëllimisht për të përshpejtuar kërkimet për një vaksinë.”
Apeli ishte për drejtorin e Institutit kombëtar amerikan të shëndetit, Frensis Kollins. Ata shpjegojnë se është e vështirë të mendosh se ekonomia dhe shoqëria do të rimëkëmben pa një vaksinë. Ideja për të marrë një person të shëndetshëm, ta vaksinosh me një nga prototipat që po studiohen, dhe më pas ta infektosh qëllimisht, mund të përshpejtojë zhvillimin e një vaksine dhe mund të jetë e justifikueshme nga këndvështrimi etik, raporton abcnews.al
Infektimi i qëllimshëm quhet “sfida njerëzore”. Është provuar në të kaluarën për sëmundje si kolera, tifo, gripi dhe i ftohti. Por dy vite më parë u ndalua për një vaksinë kundër Zika, sepse u konsiderua shumë i rrezikshëm. Me koronavirus, ideja u hodh nga një editorial në revistën “Vaksina”: “Sëmundje të jashtëzakonshme kërkojnë zgjidhje të jashtëzakonshme” ishte titulli.
Pak ditë më pas 35 senatorë amerikanë i shkruan agjencisë federale e cila miraton ilaçet e reja duke i kërkuar autorizimin e infektimit vullnetar. Në muajin qershor dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë publikoi një manual për të zhvilluar eksperimentin në mënyrën më të sigurte të mundshme. Një faqe interneti e pavarur, ndërkohë ka mbledhur rreth 30 mijë firma nga persona që janë të gatshëm të përballen me virusin për hir të kërkimeve shkencore, shkruan abcnews.al
Në eksperimentimin normal, pas marrjes së vaksinës, vullnetarët kthehen në shtëpi dhe rifillojnë normalisht jetën e tyre. Pas disa muajsh, shkencëtarët do të kontrollojnë numrat, sa prej tyre janë prekur nga virusi. Nga krahasimi mes të prekurve të vaksinuar dhe atyre të pa vaksinuar do të vlerësohet dhe efikasiteti i imunizimit. Për të reduktuar muajt e pritjes, që të kuptohet menjëherë se sa mbrojtës është vaksina, lindi ideja e infektimit të qëllimshëm, në laborator.
Vullnetarët sigurisht që do të jenë të rinj, të shëndetshëm dhe të mirë informuar. Atyre do u garantohet mjekimi më i mirë i mundshëm në rast përkeqësimi të gjendjes shëndetësore. Dhe nëse do të ketë mbingarkesë në sistemin shëndetësor ata do të kenë prioritet. Pavarësisht kësaj rreziku i pasojave serioze me koronavirus ekziston në të gjitha moshat. Por shkencëtarët këmbëngulin se nëse eksperimenti do të kryhet si duhet, do të mundësonte në përshpejtimin e zhvillimit të vaksinës dhe do të mund të shpëtonte miliona jetë, dhe do të lehtësojë ekonomitë e planetit./abcnews.al