Një javë pasi Gjykata Kushtetuese deklaroi të përfunduar mandatin e gjyqtares Sonila Bejtja, institucioni i Presidencës nisi procedurat për pasuesin e saj.
E premtja ishte afati i fundit kur Presidenca duhet të shpallte thirrjen për të gjithë ata që pretendojnë vendin që po e lë gjyqtarja Bejtja. Aplikimet mbyllen më 30 nëntor, ndërsa të interesuarit duhet të lexojnë ligjin mbi kushtet e domosdoshme apo formularët që duhet të plotësojnë.
Kushtetuta parashikon që “Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të kenë arsim të lartë juridik, të paktën 15 vjet përvojë pune si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, nëpunës të nivelit të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në sfera të tjera të së drejtës.”
Gjithashtu, nuk mund të bëhet gjyqtare në Kushtetuese dikush që ka mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 viteve të fundit përpara kandidimit.
Sonila Bejtja është gjyqtarja e dytë e Kushtetueses që, sipas skemës së ripërtëritjes, i ka përfunduar mandati. Ditët në vijim pritet që Kushtetuesja të deklarojë përfundimin e mandatit të gjyqtares së dorëhequr që në shtatorin e vitit të shkuar, Elsa Toska, për t’u hapur më pas procedurat e pasuesit nga Kuvendi.
Mandati i parë i përfunduar është ai i kryetares së gjykatës, Holta Zaçaj, më 10 mars. Ajo vijon të qëndrojë në detyrë, të drejtojë seancat, ndërsa pasuesi i zgjedhur Asim Vokshi pret betimin tek Presidenti, akt që nuk ka ndodhur ende për shkak të pretendimeve të ish-kryetares së KLGJ, Naureda Llagami, se mandati i takon asaj.
Llagami pret që në datë 11 nëntor trupa e gjyqtarëve kushtetues të rikthejë në Gjykatën Administrative çështjen e saj, ose si alternativë ajo ka kërkuar prej Kushtetueses të rrëzojnë Vokshin dhe ta deklarojnë atë si gjyqtaren pasuese të Zaçajt. Kjo e fundit duket se do ta mbyllë mandatin, siç ka pretenduar, në dhjetor, ndërsa procedura për pasuesin e saj është hapur që prej marsit. Si Zaçaj, edhe Bejtja do të vijojë detyrën derisa në karrigen e saj të ulet anëtari pasues.

