Përfaqësuesja e femrave të Kosovës zhvilloi sot ndeshjen e radhës në kuadër të eliminatoreve të Kampionatit Europian. Përballë ishte Holanda dhe vajzat dardane nuk mundën t’i bëjnë rezistencë atyre vendase dhe përfunduan të mundura 6-0.
Pjesa e parë u mbyll në barazon 0-0, ndërsa në të dytën vajzat e Holandës shpërthyen dhe shënuan plot gjashtë gola, duke regjistruar humbjen e thellë të vajzave dardane.
Kosova ndodhet në Grupin A të eliminatoreve dhe renditet e katërta në kuotën e 10 pikëve. Jo vetëm Kosova, por edhe Shqipëria doli e humbur në ndeshjen e saj, por pa u turpëruar.
Vajzat kuqezi kishin përballë Portugalinë dhe arritën të bëjnë një ndeshje pozitive, pavarësisht se humbën me shifrat 1-0. Pjesa e parë u mbyll me shifrat e pastra 0-0, teksa në pjesën e dytë Capeta gjeti golin e triumfit në minutën e 57 dhe i dha tri pikët vajzave luzitane.
Shqipëria renditet në vendin e katërt në Grupin E të eliminatoreve në kuotën e gjashtë pikëve pas tetë ndeshjesh. Kjo humbje për vajzat e Grimës vjen pas asaj fitoreje të thellë me rezultatin 4-0 ndaj Qipros pak ditë më parë. /abcnews.al