Personat me depresion në Shqipëri janë në rritje. Edhe pse është një çështje tabu, specialistët thonë se ndërgjegjësimi ka filluar. ABC News ju sjell historinë e një 21 vjeçareje dhe sfidat me opinionin paragjykues.
Depresioni është një kurth nga i cili është vështirë të dalësh, por nuk është e pamundur. E thotë kjo 21- vjeçare nga një fshat i Tiranës, ndërsa ka buzëqeshjen e fitores:
“Ndonjëherë shkaku është një gjendje shpirtërore dhe jo arsye të tjera. Thjesht ti e çon veten në depresion. Më shumë shkak ishte shkolla, degën që pëlqeja nuk e kapa dot dhe më dukej vetja e padobishme e paaftë për asgjë. Mendoja vetëm për keq, nuk kisha fuqi as të luftoja”
Gjykimi i opinionit është një peshë që e mbart edhe sot, së pari për të mos u identifikuar, qoftë edhe duke shmangur psikologun.
“Mentaliteti i shqiptarëve, ke shkuar te psikologu? atëherë ke një problem dhe nuk shkova të psikologu”
Depresioni vazhdon të jetë një temë tabu në shoqërinë tonë, edhe mes më të rinjve. Tabuja vijon edhe me marrjen e ndihmës tek psikologu. Edhe vetë ideja duket e papranueshme.
Depresioni është një gjendje që nuk kursen askënd e vjen në rritje sipas specialistëve. Psikiatrja Arjana Rreli thotë se ndërgjegjësimi gjithashtu në rritje, po e tejkalon tabunë e kontrollit të specializuar.
“Një episod depresiv mund të ndodhë te 1 në 7 persona, kjo do të thotë se kjo është një problematikë që haset rëndomë”.
Hapi i parë sipas mjekes është që të pranosh se depresioni është një problem.
“Ndërhyrjet bëhen më të shpejta, shkurtohet koha e vuajtjes se individit dhe rezultate merren shumë herë më të mira në kohë duke parandaluar edhe komplikacionet por dhe invalidizimin e personit që në këtë sëmundje ndodh nëse nuk trajtohen në kohën e duhur”./ABC News Albania 24/7