Ushtria shpërndan fletët e votimit, ABC News shoqëron kutitë e Lezhës

schedule15:20 - 27 Qershor, 2019

schedule 15:20 - 27 Qershor, 2019

Fletët e votimit janë shpërndarë thuajse në të gjitha KZAZ-të e vendit. Transporti i tyre është bërë nën masa të forta sigurie, ku autokolona e kamionëve ushtarakë, është shoqëruar me eskortë policore. ABC News udhëtoi këtë mëngjes nga Lundra në Lezhë bashkë me fletët e votimit.

“Është ora 8 e mëngjesit dhe ne ndodhemi pranë ambienteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Lundër. Aktualisht, një task forcë e përbërë nga stafi i KQZ-së, punonjës të ushtrisë dhe policisë së shtetit janë duke punuar për të shpërndarë materialet zgjedhore”.

ABC News do të ndjekë transportin e materialit më të rëndësishëm zgjedhor, fletëve të votimit, nga magazinat e Lundrës deri në selitë e Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve.

 “Në këtë kamion të ushtrisë shqiptare po transportohen rreth 170 000 fletë votimi për qarkun e Lezhës. Ky qark ka 4 KZAZ, dy në Lezhë, një në Kurbin dhe një në Mirditë”.

Gjatë gjithë rrugës, kamionët e ushtrisë ecin në autokolonë, dhe shoqërohen nga policia shqiptare. Pas dy orësh udhëtim, gjithçka shkon qetë. Lezha ka dy KZAZ në zonë të qeverisura nga demokratët, referuar protestave në këtë bashki, vëmendja është maksimale.

 Kryetari i bashkisë Fran Frrokaj është nën hetim për pengim të subjekteve zgjedhore, ndaj policia ka marrë të gjitha masat në rast surprizash.

“Kjo KZAZ me numërin 13 po funksionon në një ambient të bashkisë, e cila, e qeverisur nga demokratët kërkon lirimin e ambienteve”.

Por, siç kishin paralajmëruar demokratët, forcat policore lokale u hodhën në aksion. Policia bashkiake kërkon lirimin e ambienteve.

Socialistët i përgjigjen shkurt.

“Ne sapo kemi marrë në dorë materialet zgjedhore dhe gjithçka është në rregull. Ne kemi një vendim të KQZ-së që prevalon mbi atë të bashkisë dhe do t’i bindemi atij, konform të gjitha rregullave dhe ligjeve”, -thotë Elona Ndrecaj, anëtare e KZAZ-se numer 13.

Pas të dielës, kjo sallë do të kthehet në vend për numërimin e votave, ku për herë të parë do të mungojnë numëruesit e PD dhe LSI.

Në bashkinë Lezhë Pjerin Ndreu i Socialistëve ka dy rivalë: Salvador Kaçajn e Bindjes Demokratike, që edhe pse ka emrin në fletën e votimit, është tërhequr nga gara, dhe Eduard Ndocajn, që vijon përpjekjet./ABC News Albania 24/7