Ushtria izraelite ka vrarë një grua palestineze në Bregun e pushtuar Perëndimor të mërkurën, pasi tha se ajo u ishte afruar atyre duke bartur një thikë. Edhe një palestinez u vra teksa ushtria kishte shkuar që të shkatërronte shtëpinë e një sulmuesi.
Ushtria izraelite publikoi një fotografi që tha se ishte thika që palestinezja e vrarë po barte. Autoritetet thanë se ishin duke patrulluar në një autostradë afër kampit të refugjatëve Al-Abroub, në jug të Bregut Perëndimor kur ndodhi ky incident, duke shtuar se asnjë ushtar izraelit nuk është plagosur.
Ministria palestineze e Shëndetësisë e identifikojë viktimën si Ghafran Warasna, e cila thanë se ishte qëlluar në gjoks. Sipas autoriteteve palestineze, kjo 31-vjeçare ishte liruar nga një burg izraelit në prill, pasi kishte qëndruar për tre muaj.
Izraeli tha se Warsana kishte qëndruar në burg nga janari deri në mars pasi kishte tentuar që të therte me thikë një polic izraelit në qytetin Hebron në Bregun Perëndimor.
Sindikata e gazetarëve palestinezë tha se Warsana kishte punuar si gazetare kohë pas kohe për më shumë se një dekadë. Radio Dream, radio lokale në Hebron, tha se ajo ishte nisur drejt vendit të saj të punës, kur u vra.
Në një incident të ndarë, të paktën një palestinez u vra afër qytetit Jenin në Bregun Perëndimor, thanë autoritetet palestineze, por nuk dhanë më shumë detaje.
Forcat izraelite ishin duke kryer një operacion në fshatin Yaabed, ku kishin shkuar për të shkatërruar shtëpinë e një palestineze i cili kishte vrarë pesë persona në Bnei Brak në mars. Operacione të tilla shpesh nxisin përleshje të armatosura midis militantëve palestinezë dhe forcave izraelite. Megjithatë, ushtria izraelite nuk ka dhënë më shumë detaje për këtë rast.
Tensionet janë rritur javëve të fundit pas vrasjes së gazetares palestinezo-amerikane, Shireen Abu Akleh, e cila punonte për Al-Jazeera. Ajo u vra në një lagje në Jerusalemin Lindor.
Si pasojë e dhunës në javët e fundit janë vrarë të paktën 35 palestinezë nga forcat izraelite.
Izraeli mori kontrollin e Bregut Perëndimor në Luftën e Lindjes së Mesme më 1967, teksa palestinezët thonë se kjo pjesë do të jetë pjesë e shtetit të tyre të ardhshëm./R.E.L