Ushtria izraelite merr nën kontroll kalimin kufitar me Egjipitin në Rafah

schedule15:53 - 7 Maj, 2024

schedule 15:53 - 7 Maj, 2024

Pas daljes së njoftimeve për një marrëveshje armëpushimi, forcat izraelite vazhduan sot ofensivën ushtarake në Rafah, duke marrë nën kontroll kalimin kufitar ndërmjet Egjiptit dhe Rripit të Gazës.

Në një bisedë telefonike në prag të operacionit të forcave izraelite, Presidenti Biden e paralajmëroi sërish kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu kundër sulmit në këtë qytet, ku po strehohet mbi një milionë palestinezë, shumë prej tyre të zhvendosur nga pjesët e tjera të territorit në shtatë muajt e luftës së Izraelit kundër Hamasit në Gazë.

Forcat izraelite vazhduan sulmin e tyre ndaj qytetit jugor të Rafahut, një ditë pasi grupi militant Hamas tha se e pranonte propozimin për armëpushim të ndërmjetësuar nga Egjipti dhe Katari, por për të cilën Izraeli tha se nuk përmbushte kërkesat kryesore të tij.

Forcat izraelite morën nën kontroll kalimin kufitar të Gazës me Egjiptin të martën në mëngjes, përmes të cilit futen pjesa më e madhe e ndihmave humanitare. Tanket izraelite u futën më thellë në qytet ku mbi një milionë banorë po strehohen në tenda dhe ndërtesa banimi të mbipopulluara.

Gjatë natës, Izraeli kreu disa bombardime në Rafah, duke lënë të paktën 23 palestinezë të vrarë, përfshirë gjashtë gra dhe pesë fëmijë, sipas regjistrave të spitalit.

Operacioni izraelit në Rafah megjithatë duket se nuk i ngjan një ofensive të plotë siç e kishte planifikuar Izraeli, por mbetet e paqartë nëse ai do të zgjerohet në ditët në vijim.

Izraeli po përballet me trysni ndërkombëtare kundër ofensivës në Rafah. Presidenti Biden e paralajmëroi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu kundër një operacioni të tillë pak orë para se Izraeli ta fillonte atë.

“Gjendja në Rafah ishte temë e bisedës (mes tyre). Dua të theksoj sërish se ne i kemi bërë të qarta qëndrimet tona rreth operacioneve në Rafah, të cilat mund të shtojnë rrezikun për mbi një milionë të zhvendosur. Gjatë telefonatës me Netanyahun, presidenti sërish e bëri të qartë këtë qëndrim Ai po ashtu theksoi se ne vazhdojmë të besojmë që një marrëveshje për lirimin e pengjeve është mënyra më e mirë për të siguruar lirimin e tyre,” deklaroi zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Kundër ofensivës izraelite në qytetin e Rafahut u shpreh edhe Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell.

“Nuk ka marrëveshje për armëpushim. Hamasi e pranoi, Izraeli e refuzoi, ofensiva tokësore në Rafah ka filluar sërish përkundër thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare, shteteve anëtare të BE-së dhe të gjithëve që po kërkojnë nga Netanyahu të mos e sulmojë Rafahun. Përkundër këtyre paralajmërimeve dhe thirrjeve, sulmi filloi mbrëmë dhe shqetësohem se do të shkaktojë sërish shumë viktima civile pavarësisht se çfarë thonë. Bëhet fjalë për 600 mijë fëmijë në Gazë, që do të shtyhen drejt zonave të ashtuquajtura të sigurta dhe të lira. Nuk ka zona të sigurta dhe të lira në Gazë,” deklaroi zoti Borrell.

Zoti Borrell iu referua urdhrit izraelit për evakuim të rreth 100,000 palestinezëve në Rafah të hënën, për t’u vendosur në një kamp tendash përgjatë detit, të deklaruar si zonë humanitare nga Izraeli, ku mijëra të zhvendosur po jetojnë në kushte të vështira.

Mijëra palestinezë vazhduan të ikin nga Rafahu. Shumë prej tyre ngarkuan sendet shtëpiake në qerre apo kamionë, ndërkohë që një pjesë i çmontuan tendat për t’i vendosur diku tjetër.

“I lutem Zotit që të arrihet armëpushimi. Shpresojmë në Zot që të ndodhë, por po shoh që Netanyahu nuk dëshiron armëpushim. Ai do t’i dëbojë palestinezët në Sinai, ta shkatërrojë Gazën dhe ta pushtojë,” thotë i zhvendosuri Raef Abou Labde.

Izraeli thotë se Rafahu mbetet bastioni i fundit i grupit militant të Hamasit, të cilin është zotuar ta shkatërrojë pas sulmit të 7 tetorit ndaj vendbanimeve izraelite. /voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!