Ndërkohë që forcat ruse të vendosura përgjatë kufirit me Ukrainën janë “gati” për fillimin e një sulmi, nëse marrin një urdhër, para ambasadave ruse në Evropë kanë nisur protesta pro-ukrainase.
Kjo protestë në Kopenhagë të Danimarkës është organizuar nga organizata rinore në Facebook.
Disa protestues pro-ukrainas u mblodhën gjithashtu jashtë ambasadës së Rusisë në Londër.
Në një pankartë shkruhej “bllokoni kuletat ruse”. Një sërë sanksionesh perëndimore janë vendosur ndaj Moskës gjatë ditëve të fundit por sërish ajo nuk është zbrapsur, madje ka hedhur hapa para në planin e saj për të pushtuar Ukrainën.
Parlamenti ukrainas ka miratuar shpalljen e gjendjes të jashtëzakonshme në mbarë Ukrainën, derisa shteti po përballet me mundësinë e një ofensive ruse të shkallës së gjerë.
Më herët gjatë 23 shkurtit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, propozoi vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme për 30 ditë, duke filluar nga 24 shkurti.
Gjendja e jashtëzakonshme do të jetë në fuqi në mbarë Ukrainën, me përjashtim të dy rajoneve lindore, ku një gjendje e jashtëzakonshme është në fuqi që nga viti 2014.
Gjendja e jashtëzakonshme lejon autoritetet që të vendosin kufizime për lëvizjen, mbajtjen e mitingjeve për partitë politike “në interes të sigurisë kombëtare dhe rendit publik”.
Po ashtu, ndalohen “materialet e informacionit që mund të destabilizojnë situatën në shtet” dhe po ashtu, ky vendim lejon Qeverinë që të vendosë kufizime të lëvizjes dhe të kryejë kontrolle.
Kjo masë, që u miratua nga ligjvënësit ukrainas, vjen në të njëjtën ditë me nisjen e evakuimit të diplomatëve rusë nga Kievi, teksa Uashingtoni ka shtuar paralajmërimet për shanset për një sulm rus.
/abcnews.al