Nga errësira e thellë e diktaturës, aty ku jeta dhe shpresa shuheshin pa zë, vjen një histori që duket gati e pabesueshme. Është rrëfimi për Meshan Çinin, një grua që nuk iu përkul kurrë dhunës, por zgjodhi të jetojë për dashurinë dhe dinjitetin, edhe kur gjithçka rreth saj shembej.
E lindur në një familje të pasur dhe patriotike në Delvinë, ajo njohu shumë herët përmbysjen e fatit. Nga një vajzë e rritur me të gjitha të mirat, u kthye në një grua që përjetoi burgun, dhimbjen dhe humbjen. I fejuari i saj u dënua me burgim të përjetshëm, por Meshani nuk hoqi dorë kurrë prej tij. E ndoqi burg më burg, nga Burreli në Gjirokastër, duke sfiduar frikën dhe sistemin me një forcë të rrallë.
Më pas erdhi radha e saj: burgosje, tortura, mungesë shprese. Brenda qelive të ftohta, ajo u përball me errësirën më të madhe njerëzore, deri në kufijtë e jetës. Por nuk u thye. Edhe kur humbi bashkëshortin, edhe kur gjithçka dukej e mbaruar, ajo mbeti në këmbë.
Rilindja e saj nisi në moshën 45-vjeçare, kur e sapo dalë nga burgu, nis të kujdeset për një vajzë disa muajshe; Edlirën, dritën e syve të saj. Edlira, bijë e një familje të fisshme, humbi nënën biologjike kur ishte vetëm 3 muajshe. Pak muaj me vonë, babai i mbetur i ve me 3 fëmijë fare të vegjël vendos të rimartohet. Ky është momenti, kur Edlira i dhurohet si bijë tezes së njerkës së saj; Meshanit, duke i shënjuar jetën kështu kërthisë me një histori fisnikësh në gjak e shpirt. Për shumë vite Meshan Çini, e sapo dalë nga burgjet, rriti Edlirën pa e birësuar zyrtarisht në mënyrë që e vogla e saj të mos kishte fatin e hidhur të vetë nënës adoptuese. Ajo u rrit me pekule nga gruaja që 45 vjeçe për herë të parë dëgjoi që dikush ta thërriste: Nënë. Rreth 15 vite më vonë, sapo ra komunizmi, Meshani merr dy vendime; adoptimin zyrtar të Edlirës dhe arratisjen nga Shqipëria pak ditë para se të binte busti i Enver Hoxhës, në shkurt 1991.
Meshani e Edlira, morën rrugën e arratisjes drejt lirisë. Një moment dramatik në kufi, me armën drejtuar në grykë, u kthye në një çast njerëzor që u hapi rrugën drejt shpëtimit. Një ushtar në kufi ju pret rrugën dhe i vë Meshanit automatikun në fyt, ajo me kujdesin e nënës i thotë veç një fjali, pa kërkuar mëshirë: Bir, mbërthe jakën se do ftohesh, është ftohtë. Ushtari ndjen njerëzillëkun në atë fjali dhe i lë të ikin, duke ju lutur që po t’i kapnin të mos e tregonin se ai i kishe parë dhe… nuk shihen kurrë më…
Nga Greqia, nënë e bijë, shkojnë në Kanada, aty ku Meshani arriti të mbyllë sytë në një botë të lirë, larg ferrit që kishte lënë pas. Sot, kjo trashëgimi fisnikërie jeton tek Edlira Begeja Çini, e cila e ka kthyer dhimbjen në përkushtim. Në nder të nënës së saj, ajo i dedikon kohë dhe dashuri grave të moshuara, duke krijuar një komunitet ku respekti dhe kujdesi për brezin e tretë janë në qendër. Kjo është historia e një gruaje që sfidoi diktaturën sy më sy, dhe e një vajze që e ktheu sakrificën në mision.


