Ushtarët rusë: Pse duhet të luftojmë kundër tankeve vetëm me mitralozë

schedule10:49 - 23 Janar, 2023

schedule 10:49 - 23 Janar, 2023

Javën e kaluar u shfaq një video në Telegram dhe në rrjetet e tjera sociale ruse: një grup prej dhjetëra personash të maskuar dhe kamufluar, duke qëndruar në një fushë të mbuluar me borë dhe duke bërë thirrje për ndihmë.

“Ne jemi ushtarë të togjeve një, tre, katër të regjimentit 254, kompania e shtatë, batalioni i tretë. Ju lutem na ndihmoni që të përmirësojnë situatën”, thanë ushtarët. “Komandanti ynë dha urdhër që të mos tërhiqemi nga pozicionet tona. Por, ai nuk na dha asnjë siguri dhe mbështetje. Ne kishim vetëm mitralozë dhe të gjitha armët e tjera u dëmtuan”.

“Tani, ata po na akuzojnë për dezertim, pasi komandanti i kompanisë po thotë se ai nuk ka dhënë urdhër”, thanë ata. “Si përfundim, komandantit nuk i intereson për ne”.

Videoja nuk ka datë dhe nuk ka tregues se ku mund të jetë incizuar. Megjithatë, kjo video sugjeron se është realizuar në Ukrainë, apo në ndonjë zonë që përdoret nga forcat ruse për të hyrë në Ukrainë.

Por, ankesa si dhe vendimi i ushtarëve që ta bëjnë publike këtë ankesë, vënë në pah problemet e vazhdueshme me të cilat po përballen dhjetëra mijëra trupa të sapomobilizuara që komandantët rusë kanë vendosur t’i çojnë në vijat e frontit në luftën kundër Ukrainës.

Në një përpjekje për të ndryshuar kursin e luftës dhe për të detyruar Ukrainën që të dorëzohet, në shtatorin e kaluar Kremlini urdhëroi mobilizimin e 300.000 burrave, shumica prej të cilëve ishin rezervistë. Muajt paraprak, autoritetet ruse kishin kryer atë që ekspertët e quajtën “mobilizim të fshehtë”, duke rekrutuar vullnetarët të cilëve iu ofruan paga të larta.

Por, infrastruktura logjistike dhe e rekrutimit e Rusisë ishin krejtësisht të papërgatitura që të ballafaqoheshin me numrin e madh të trupave që duhej të strehoheshin, t’u siguroheshin veshmbathje, të pajiseshin me armë dhe të trajnoheshin para se të dislokoheshin.

Trupat janë ankuar – edhe para se të arrinin në fushëbetejë në lindje të Ukrainës – edhe për mospagesë, se nuk kanë mjaftueshëm ushqim apo për mungesë të disiplinës dhe organizimit në mesin e komandantëve.

Dezertimi

Sipas një ligji të nënshkruar në shtator nga presidenti rus, Vladimir Putin, dënimet janë ashpërsuar për dezertim gjatë periudhës së mobilizimit ose luftës. Sipas legjislacionit, shkelësit e ligjit mund të përballen me deri në 10 vjet burgim, ndërkaq personat që kundërshtojnë urdhrat rrezikojnë deri në tre vjet burgim. Ligji po ashtu parasheh dënime për dorëzim “vullnetar”, që parasheh dënim deri në 15 vjet burgim.

Megjithatë, këto dënime nuk kanë zmbrapsur një numër në rritje ushtarësh, që janë të gatshëm të përballen me mundësinë e akuzave penale.

“Ata u dërguan në vijën e frontit pothuajse pa asgjë, për të luftuar tanket vetëm me mitralozë”, tha Alyona Savochkina, burri i së cilës, Viktori, është një prej ushtarëve që shfaqet në video. “Kanë gjërat kryesore, granata. Që të gjithë ata. Ata nuk kanë përforcime. Asgjë”.

Në një intervistë për Current Time, Savochkina, e cila jeton në rajonin perëndimor të Orjolit, tha se burri i saj paraprakisht ishte paraqitur vullnetar në ushtri në korrikun e kaluar dhe ishte dërguar të punonte si shofer. Por, kur u urdhërua që të shërbente në këmbësori, ai prishi kontratën dhe u kthye në shtëpi.

Më 24 tetor, tha ajo, burri i saj u thirr të shërbente në bazë të urdhrit për mobilizim të Kremlinit. Ai fillimisht u dërgua në Smolensk, afër kufirit me Bjellorusinë. Pas disa lëvizjesh, njësiti i tij më 31 dhjetor u dërgua në vijën e frontit në rajonin ukrainas të Luhanskut.

Ajo tha se njësiti i burrit të saj kishte mungesë të theksuar të pajisjeve dhe ushtarët nuk kanë ushqim të mjaftueshëm. Ata, sipas saj, furnizohen me ushqime që ua dërgojnë familjarët. “Por, ata po i kërcënojnë se do t’i privojnë edhe nga kjo”, tha Savochkina.

Të pyetur për apelin publik të ushtarëve, qeveria rajonale në Jarosllav, ku njësiti zyrtarisht është i vendosur, tha se po e heton këtë apel.

Familjarët e ushtarëve thanë se ata po planifikojnë të dorëzojnë një ankesë zyrtare para prokurorëve ushtarakë në Moskë?

“Çfarë jemi ne, mish për top?”

Nuk ka shifra zyrtare se sa ushtarë rusë kanë dezertuar që kur Moska nisi pushtimin në shkurt të vitit 2022. Të paktën tre dezertorë dihet se janë ndjekur penalisht në gjykatat ruse.

Në një raport të publikuar në nëntor, që bazohej në raportimet e mediave ruse, Instituti për Studime të Luftës, me seli në SHBA, tha se qindra ushtarë besohet se kanë dezertuar dhe janë fshehur në të paktën shtatë lokacione në rajonet lindore ukrainase të Donjeckut dhe Luhanskut.

“Gjendja morale dhe psikologjike e forcave ruse në Luhansk dhe Donjeck është jashtëzakonisht e ulët”, tha raporti. “Humbjet e mëdha në fushëbetejë, mobilizimi, duke i dërguar njerëzit pa trajnime në fronte të luftës, dhe furnizimet e dobëta kanë çuar në rastet e dezertimeve”.

Viktoria, gruaja e një ushtari tjetër që u shfaq në video, tha se bashkëshorti i saj, Ivani, u dërgua në vijën e frontit me pothuajse asnjë trajnim. Pasi ai pranoi urdhrin për t’u paraqitur për detyrë më 23 tetor, ajo tha se ata nisën shpejt të blinin pajisjet personale për të: veshmbathje, kutinë e ndihmës së shpejt, beretat. Atij iu dha edhe një thes gjumi dhe një uniformë nga zyra për rekrutim.

Njësiti i Ivanit fillimisht ishte dërguar në Smolensk, ku iu nënshtruan trajnimeve bazike dhe trajnimeve me armë, tha Viktoria, e cila kërkoi që të mos i publikohej mbiemri.

Pasi lëvizën në disa lokacione, atyre iu dhanë armët më 31 dhjetor në rajonin Voronezh, afër kufirit me Ukrainën. Më pas ata u dërguan në front të luftës. “Ata u dërguan në Ukrainë, nuk kishte më trajnime. Asgjë”, tha ajo. “Atyre iu dhanë armë të reja që kurrë më parë nuk i kishin mbajtur në duar. Mund të kenë qëndruar aty për tri ditë dhe më pas u dërguan menjëherë në vijën e frontit”.

Ivani i tha asaj se komandantët i urdhëruan ata që të nisnin sulmet, por ukrainasit sulmuan me artileri, dhe njësia e tij u detyrua të vraponte dhe të ikte për shtatë kilometra. “Ne nuk kemi asgjë për të mbrojtur vetveten: nuk jemi pajisje, asgjë, vetëm armët revolet dhe duart tona”, tha Ivani, sipas Viktorias.

Pas kësaj, tha Viktoria, njësiti nisi të refuzonte urdhrat për t’u kthyer në frontin e luftës. “Për këtë, ata duan t’i akuzojnë për dezertim. Ata kanë thënë: ‘Ne nuk kemi asgjë për të luftuar. Pse duhet të luftojmë kundër tankeve vetëm me mitralozë’”, tha ajo.

“Ka shumë djem, që të gjithë duket se janë të bashkuar” si njësit, tha ajo. “Por, tani ata po tentojnë t’i ndajnë në mënyrë që të mos mund të rezistojnë”.

Pasi i nxorën jashtë, tha ajo, njësia u tha komandantëve: “Ne nuk do të shkojmë më tej. Nuk ka kuptim që ne të luftojmë kundër tankeve me këto armë: Çfarë jemi ne, mish për top?”.

Më pas komandanti u betua dhe i kërcënoi, tha Ivani, sipas Viktorias. “Hiqni jelekët antiplumb, dorëzoni armët, kthehuni në Rusinë tuaj. Nëse arrini atje, bravo, nëse nuk arrin do të jesh i zhdukur në luftë”, citohet të ketë thënë ky komandant./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!