Ursula von der Leyen prezanton komisionerët e rinj

schedule17:20 - 10 Shtator, 2019

schedule 17:20 - 10 Shtator, 2019

Presidentja e re e Komisionit Europian ka përzgjedhur ekipin e saj të komisionerëve. Në vend të Hahn, zgjerimi i është besuar hungarezit Lazlo Troksani. Ekipi me 13 gra e 14 burra do votohet në parlamentin europian.

Presidentja e re e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka prezantuar ekipin e ri të Komisionit Europian. Sipas Von der Leyen, ekipi i saj mbi të gjitha reflekton nevojën për të adresuar ndryshimet në klimë, teknologji dhe demografi që po transformojnë shoqëritë europiane dhe mënyrën e tyre të jetesës.

Për Von der Leyen, Bashkimi Europian mund të udhëheqë kalimin në një planet të shëndetshëm dhe në një botë dixhitale, duke bashkuar qytetarët, duke përmirësuar ekonominë europiane, tregun unik dhe duke u përballur me ambiciet e reja të botës së sotme.

“Sot po prezantoj ekipin tim për Europën. Ai ngërthen të gjithë forcën dhe talentin e burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave nga Veriu në Jug, nga Perëndimi në Lindje. Një ekip që është bazuar në ekuilibrin e barazisë gjinore, si dhe në diversitetin e ekpseriencave dhe kompetencave”.

Komisioneri i përzgjedhur për zgjerimin dhe politikën e fqinjësisë është hungarezi László Trócsányi. Ai është me formim jurist, ka shërbyer më parë në postin e Ministrit të Drejtësisë në qeverinë e kryeministrit hungarez, Victor Orban dhe i përket familjes politike europiane të djathtë, Partisë Popullore Europiane.

Përzgjedhja e komisionerit të ri për zgjerimin është një surprizë. Ky portofol nuk pritet t’i jepej Hungarisë, për shkak të tensioneve në rritje midis Komisionit Europian dhe qeverisë së Hungarisë, të cilës i është kërkuar të respektojë parimet e shtetit ligjor dhe demokracisë.

Për këtë arsye, dëgjesa në Parlamentin Europian për komisionerin e ri për zgjerimin pritet të jetë e vështirë. Kandidaturat e komisionerëve duhet të aprovohen nga Parlamenti Europian në fillim të Tetorit./ABC News Albania 24/7