Lulzim Basha nuk po rri duarkryq, por nga fjalët po kalon te veprat konkrete për Kuvendin që Sali Berisha ka paralajmëruar se do të mbledhë në datë 11 Dhjetor. Mbrëmjen e sotme lideri i PD-së kishte një paralajmërim të qartë dhe konkret për 71 drejtuesit e degëve.
Ai u lexoi nenin 27 të Statutit të PD-së për masat disiplinore dhe u kërkoi drejtuesve të degëve që t’jua bënin të qartë të gjithë delegatëve të Kuvendit Kombëtar të PD-së se nëse do të merrnin pjesë te organizimi i Sali Berishës në 11 Dhjetor, që Lulzim Basha e konsideron “miting dhe të paligjshëm” ndaj tyre do të ketë sanksione.
Një deklaratë e tillë është paralajmërim i hapur mbi të gjitha për Sali Berishën dhe deputetët që kanë dalë në krah të liderit historik, përpos 4200 delegatëve që ish-kryeministri pretendon se kanë firmosur për mbledhjen e Kuvendit në 11 Dhjetor.
Por çfarë thotë neni 27 i Statutit të PD-së?
Statuti i partisë më të madhe në opozitë, tashmë prej tre mandatesh, sqaron qartësisht se kur, si dhe ndaj kujt mund të merren masat disiplinore nëse thyhen vendimet e Kryesisë së PD-së. Janë 6 pika që specifikojnë të gjithë procedurën e marrjes së masave në raste normale, por edhe urgjente nëse është e nevojshme dhe pikërisht, rruga e fundit mund të përdoret nga Lulzim Basha për të disiplinuar partinë nga të “pabindurit” nëse nuk tërhiqen, pavarësisht se kryetari i grupit, Alfred Rushaj tha dje në “ABC” se Sali Berisha nuk do të përjashtohet në 18 Dhjetor.
Megjithatë nisur nga paralajmërimi i sotëm i Lulzim Bashës, nëse Sali Berisha vazhdon lëvizjen e tij, tashmë jo vetëm pezullimi nga grupi pas shpalljes “non grata” nga SHBA, por mund ta presë përjashtimi nga partia që themeloi 30 vite më parë.
Neni 27 i Statutit të PD-së për sanksionet
- Thyerja e disiplinës së brendshme të Partisë, ndërmarrja e veprimeve, në çdo formë apo mënyrë, që dëmtojnë interesat elektorale apo politike të PDSH-së, dhe mosplotësimi i detyrimeve të anëtarësisë sjell sanksione dhe kufizime të të drejtave të anëtarit të PDSH-së.
- Masat disiplinore që mund të merren ndaj anëtarëve janë: paralajmërimi, pezullimi dhe përjashtimi. Këto masa merren sipas rastit nga Kryesia e Degës ose Kryesia e PDSH-së, dhe konfirmohen dhe/ose mund të apelohen përpara Komisionit të Apelimit, Etikës dhe Integritetit. Ato mund të bëhen publike.
- Në tre muajt që paraprijnë çdo fushatë zgjedhore dhe një muaj pas saj, Kryesia e Partisë mund të deklarojë kundrejt një anëtari, kushdo qoftë funksioni i tij, njërin prej sanksioneve që parashikon Statuti, nëse ai pengon zbatimin e vendimeve që kanë të bëjnë me kandidaturat në zgjedhje. Ky vendim është i ankimueshëm dhe shqyrtohet nga Komisioni i Apelimit, Etikës dhe Integritetit, brenda 5 ditëve nga paraqitja e ankimit.
- Kërkesat për ripranim shqyrtohen nga kryesitë e Degëve, nëse vendimet janë marrë prej tyre, ose nga kryesia e partisë për të gjitha rastet e tjera.
- Në raste urgjente, dhe veçanërisht në fushata elektorale, kryetari i Partisë mund të ushtrojë pushtetin e sanksioneve statutore. Sanksioni i ndërmarrë i paraqitet për miratim kryesisë së partisë në afatin më të shkurtër të mundshëm.
- Rastet që përbëjnë shkelje disiplinore, si dhe rregullat e procedurat e dhënies së sanksioneve përkatëse disiplinore për anëtarët përcaktohen në aktet nënstatutore.
/ db/Abcnews.al