Urgjenca Kombëtare: Janë rritur thirrjet nga të dyshuarit për COVID, shtim të rasteve te moshat e reja

schedule16:38 - 9 Shkurt, 2021

schedule 16:38 - 9 Shkurt, 2021

Me rritjen e numrit të të infektuarve me COVID është rritur edhe numri i thirrjeve në Urgjencën Kombëtare. Me anë të një postimi në rrjetet sociale QUKM thotë se vetëm gjatë javës së parë të muajit shkurt janë regjistruar 18 mijë thirrje, nga të cilat 4000 kanë qenë për COVID.

Ndërkohë ekipet e terrenit kanë kryer në këtë periudhë kohore 3500 misione, 1300 prej të cilave kanë qenë për pacientë të prekur ose të dyshuar si të prekur me COVID. Në njoftim theksohet se është rritur numri i të infektuarve në moshat 15-24 dhe 25-35 vjeç.

Qytetarët këshillohen të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes si dhe të qëndrojnë në shtëpi e të telefonojnë 127 nëse gjendja e tyre rëndohet.

“Rritja e numrit të infektimeve me COVID-19 gjatë ditëve të fundit, ka rritur ndjeshëm edhe numrin e thirrjeve drejt 127. Vetëm gjatë javës së parë të shkurtit janë regjistruar rreth 18000 thirrje, prej të cilave rreth 4000 thirrje kanë qenë thirrje COVID.

Gjithashtu, janë regjistruar mbi 2000 thirrje në ditë, nga te cilat rreth 400 në ditë kanë qenë COVID. Vetëm gjatë javës së parë të shkurtit nga ekipet e terrenit të urgjencës mjekësore, janë kryer rreth 3500 misione, rreth 1300 prej të cilave kanë qenë misione COVID. Ajo që mbetet për tu shqetësuar në këto momente është rritja e numrit të të infektuarve në moshat 15-24 dhe 25-35 vjeç.

QKUM u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes për të kryer testimin si dhe për ndjekjen dhe trajtimin ambulator në banesë. Telefononi në numrin unik 127 kur dyshoni se keni shenja të sëmundjes dhe duhet të kryeni testimin për COVID-19 apo nëse keni nevojë për trajtim të specializuar spitalor në spitalet COVID.

Çfarë duhet të keni parasysh?

Qëndroni në shtëpi

Mos përdorni antibiotikë

Pushoni, ushqehuni, pini normalisht

Telefononi 127 ose mjekun tuaj të familjes nëse simptomat tuaja përkeqësohen”, thuhet në njoftim.

/mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!