Ashley Young ishte një nga afrimet e Interit në merkaton e janarit. Mbrojtësi anësor i ardhur nga Manchester United, ka sjellë eksperiencë në skuadrën zikaltër, teksa ndihet i lumtur për transferimin në Serie A.
Në një prononcim për sajtin e UEFA-s, 35-vjeçari kujton momentin kur mori ofertën e Interit, “zbërthen” trajnerin Conte dhe flet rreth sfidës gjysmëfinale ndaj Shakhtar Donetsk në Europa League (17 gusht, ora 21:00)
“Sapo mësova për ofertën e Interit i thashë agjentit tim: firmosim menjëherë dhe nisemi për aeroport. Tani luaj me buzëqeshje në fytyrë dhe jam i lumtur. E kam aftësinë për t’u përshtatur me stile të reja dhe mënyra të ndryshme jetese.
Bisedova me Antonio Conten dhe drejtuesit e Interit, dëshiroja me çdo kusht të vija në një prej skuadrave më të mira të futbollit botëror. Shpirti i ekipit tonë është i pabesueshëm, të gjithë duan të fitojnë edhe në stërvitje.
Trajneri? Ai do mentalitet fituesi nga të gjithë lojtarët, është shumë kërkues në stërvitje. Tek United isha më shumë mbrojtës, ndërsa këtu kam më liri për të sulmuar dhe dhuruar asiste. Duam finalen e Europa League, por kujdes Shakhtar, pasi janë një skuadër e mirë“, përfundon anglezi. /abcnews.al

