Arkitektët Gjergji Caca dhe Arbin Zahaj bënë thirrje për rishikimin e “Urdhrit të arkitektëve”, një draft që ka kaluar në Kuvend që prej 10 Shkurtit. Urdhëri parashikon që të ngrihet një komision prej disa anëtarësh, të cilët do të bëjnë vlerësimin dhe licensimin e studentëve që kanë përfunduar studimet.
Gjatë një interviste për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ata theksuan se ky draft shton burokracitë dhe se mund të jetë një pengesë për profesionin. Gjergji iu drejtua kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla për të mos miratuar draftin që ka kaluar në Kuvend.
“Sot funksionon me një licencë të marrë nga ministria ndërkohë që me urdhrin, të gjitha atributet e ministrisë t’i marrë një shoqatë. Shoqata e Arkitektëve Shqiptarë ka një rezultat degradues që nga viti 2016 në kuptimin e përfaqësimit të arkitektëve dhe nuk përmban përfaqësimin maksimal për të iniciuar një ligj të tillë.”, tha Caca.
Duke iu referuar Italisë, arkitekti tha se është një praktikë që ka dështuar dhe në shtetin fqinj. Sipas tij, ky ligj është i njëanshëm pasi bën që fati i arkitektëve të bjerë në duart e disa personave.
“Jemi kundër gjithë urdhrit sepse po marrim një shembull të keq dhe duan ta adoptojmë sot. Po tentohet që provimi i shtetit italian të hiqet për shkak të korrupsionit që jepej, mënyrës së menaxhimit të keq dhe i vetmi urdhër në botë që është i saktë është urdhri i profesionistëve në Angli që është i lidhur me institucionet arsimore.”, tha Caca.
/abcnews.al


