Urat shekullore të Gjirokastrës në guidat turistike

schedule14:45 - 22 Maj, 2021

schedule 14:45 - 22 Maj, 2021

Promovimi dhe përfshirja e veprave monumentale në guidat turistike do të ishte një akses më shumë për turistët që zgjedhin të vizitojnë Gjirokastrën.

Urat shekullore, ku shumë prej tyre gëzojnë statusin monument kulture,  janë një vlerë e padiskutueshme për qytetin e gurtë por që natyrisht kërkojnë përkujdesje.

Specialisti i trashëgimisë kulturore Vaso Polo, thotë se pritet që së shpejti pranë urës së fshatit Haskovë të kryhen punime restauruese të cilat jo vetëm do të ndikojnë në ruajtjen e vlerave historike që ka kjo vepër, por njëherazi do të shtojë edhe numrin e vizitorëve.

“Mendoj se me projektin e rimbursionit që do të bëhet për Urën e Zonjës dhe urës së Haskovës do të ketë një sukses për tu vizituar nga turistët. Ura e Lazaratit në 2018 ka pësuar një rikonstruksion të pjesshëm pasi vazhdon akoma projekti, çoi në evidentimin e këtyre problematikave që kishte ura, për të mos u shembur”, thotë Polo.

Një prej veprave më të mëdha historike apo monumentale në Gjirokastër është Ura e Kordhocës, monument kulture i kategorisë së I-rë, e cila ngrihet mbi lumin Drino, Ura ka një gjatësi prej 103 m dhe përbëhet nga pesë harqe të mëdhenj.

“Këto ura janë elemente karakteristikë të Trashëgimisë Kulturore, pasi datojnë në shek XVII-XVIII. Janë të gjitha me gurë dhe me harqe. Po ashtu janë një atraksion i trashëgimisë kulturore në Gjirokastër”, thotë me tej ai.

Sipas historianëve ajo është ndërtuar rreth vitit 1820 dhe në atë kohë ishte nyja kryesore lidhëse për tre qytete, Gjirokastrën, Libohovën dhe Janinën, ndërsa aktualisht njihet si e vetmja nyje lidhëse në luginën e Drinos.

“Janë një atraksion për vizitorët, dhe jemi munduar në disa guida për të futur rrugët e vjetra të kalimit të këtyre urave”, shprehet ai.

Konstruksioni i gërshetuar me stilin e arkitekturës orientale osmane, tre harqet e mrekullueshme dekorativë dhe shtrimi i plotë me kalldrëm i japin vlera të mëdha historike e arkitekturore, ndërkohë që tanimë është funksionale për kalimin e këmbësorëve dhe automjeteve./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!