Uragani “Michael” i drejtohet Floridas

schedule17:11 - 10 Tetor, 2018

schedule 17:11 - 10 Tetor, 2018

Uragani “Majkëll” pritet të prekë shtetin amerikan të Floridas gjatë ditës së sotme. Guvernatori Rik Skot paralajmëroi se ka rrezik për një shkatërrim total dhe pse premtoi se janë marrë të gjitha masat për të shmangur tragjeditë.

Florida është në gjendje alarmi në pritje të uraganit “Majkëll” që mund të shkaktojë një shkatërrim total në disa zona të shtetit amerikan. Deklarata u bë nga guvernatori Rik Skot, i cili foli për një stuhi të frikshme dhe paralajmëroi se parashikimet metereologjike po bëhen gjithnjë e më shqetësuese.

Pasi ka arritur kategorinë 3, uragani “Majkëll” po zhvendoset nga Gjiri i Meksikës dhe duhet të mbërrijë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë ditës së sotme.

Stuhia përbën një kërcënim me vdekje, sipas guvernatorit Skot, por gjithsesi ai premtoi se janë marrë të gjitha masat për të shmangur ndonjë tragjedi të mundshme.

Erërat arrijnë një shpejtësi prej 160 kilometrash në orë dhe mund të përfshijnë më pas dhe Xhorxhian, Karolinën e Jugut dhe të Veriut para se të kthehen në det të hapur mbrëmjen e së enjtes. Të hënën Florida shpalli gjendjen e jashtëzakonshme si masë paraprake për 34 rajone./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!