Uragani “Florence” në SHBA: 18 të vdekur, frikë për digat

schedule12:20 - 17 Shtator, 2018

schedule 12:20 - 17 Shtator, 2018

Vijon të rritet bilanci i viktimave nga uragani Florence që ka goditur rëndë bregun juglindor të Shteteve të Bashkuara. Aktualisht numërohen 18 të vdekur nga uragani që tashmë konsiderohet stuhi tropikale. Autoritetet janë të shqetësuar lidhur me gjendjen e digave në zonat e prekura.

Ka shkuar në 18 të vdekur, bilanci i viktimave nga “Florence”, uragani i deklaruar si stuhi tropikale që ka goditur Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një foshnje 3 muajsh ndërroi jetë pasi një pemë e madhe e rrëzuar nga stuhia goditi shtëpinë në të cilën banonte familja duke e ndarë atë në dysh. Mes viktimave është edhe një 30-vjeçare nga Karolina e Jugut, e cila humbi jetën pasi automjeti me të cilin po udhëtonte u përplas me një pemë të rrëzuar në rrugë.

Përmbytjet e shkaktuar nga kalimi i “Florence” kanë ngritur shqetësime të mëdha lidhur me gjendjen në diga në juglindje të Shteteve të Bashkuara, duke zgjeruar shkatërrimin dhe duke çuar në izolimin e plotë të shumë qyteteve, veçanërisht në Karolinën e Veriut.
Sipas dëshmitarëve, qyteti bregdetar i Wilmington, ku jetojnë 120,000 njerëz, është shndërruar në “një ishull të rrethuar nga uji”. Rreth 400 banorë janë shpëtuar dhe pjesa më e madhe e zonës mbetet pa energji elektrike. Sipas shërbimit kombëtar të motit, parashikohen edhe dy ditë shiu. Grifton, një qytet në Karolinën e Veriut, është kërcënuar nga nivelet në rritje të ujit në lumin Neuse.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump vijon të monitorojë situatën nga Shtëpia e Bardhë. Nga mesi i javës pritet që ai të vizitojë zonat e prekura./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!