Ura Morandi, preludi i një tragjedie të paralajmëruar

schedule23:17 - 14 Gusht, 2018

schedule 23:17 - 14 Gusht, 2018

Shembja e urës Morandi në Itali dhe humbja e jetëve të njerëzve mund të ishin shmangur. E përuruar në vitin 1967, ekspertë të shumtë të inxhinierisë kishin paralajmëruar rrezikun që vinte nga strukturat e dobëta të saj. Por mesazhet e tyre ranë në vesh të shurdhët dhe tani, ajo që të gjithë pyesin është: kush do të mbajë përgjegjësi?

Ura e shembur të martën në Xhenova është nyja kryesore rrugore e qytetit, që lidh autostradën A10 me qytete të tjera në perëndim të Italisë, si dhe me portin tregtar dhe terminalin e trageteve. Pikërisht për këtë rëndësi strategjike, shpesh herë ura ka qenë objekt i trafikut të ngarkuar. Me një gjatësi prej 1 km e 182 metra, një lartësi në nivelin e rrugës prej 45 metrash dhe e pajisur me 3 shtylla betoni arme që arrijnë në 90 metra lartësi, shpesh herë ajo është quajtur edhe Ura e Bruklinit, për nga ngjashmëria me simotrën amerikane. E përuruar në vitin 1967, struktura që mban emrin e inxhinierit Rikardo Morandi ka qenë shpesh herë subjekt debatesh dhe ndër vite i është nënshtruar shumë ndërhyrjeve me qëllim mirëmbajtjen e saj. Pikërisht ndërhyrjet e shumta bënë që ekspertët të paralajmëronin rrezikun që sillte ajo, paralajmërime që mesa duket ranë në vesh të shurdhët.

Në vitin 2016, inxhinieri Antonio Brençi deklaroi se ura kishte aspekte të shumta problematike, nisur nga shpenzimet për mirëmbajtjen që kishin tejkaluar ato për ndërtimin. “Ura Morandi është një dështim i inxhinierisë”, paralajmëroi asokohe Brençi. E ngritur me një përbërje të përzierë, çimento arme të presuar dhe çemento arme të zakonshme për tre shtyllat, paralajmërimet mbi rezistencën e saj kishin ardhur edhe nga burime të tjera. Në maj të vitit 2011, një raport i Drejtorisë së Rrugëve të Italisë vuri në dukje “degradimin e theksuar të strukturës për shkak të trafikut”.

Ndërsa në vitin 2009 u përfol edhe shembja e planifikuar e një pjese të saj, një operacion që do të kërkonte nga 8 deri në 12 muaj e që do të realizohej përmes çmontimit të strukturës në rend të kundërt me fazat e ndërtimit. Kohë kjo që do t’u lejonte autoriteteve të evakuonin banesat dhe godinat që ndodheshin përreth. Por pavarësisht këtyre paralajmërimeve, asgjë nuk ndryshoi. Ura Morandi u shemb të martën e 14 gushtit, duke marrë disa dhjetëra jetë njerëzish e duke ndezur sërish debatet dhe ngritur pyetjen: a do të ndëshkohen përgjegjësit? /abcnews.al