UNUM 2019, Klosi: Ta shndërrojmë vendin në destinacion festivalesh

schedule18:10 - 20 Mars, 2019

schedule 18:10 - 20 Mars, 2019

Për herë të parë në Shqipëri do të organizohet një festival i përmasave të mëdha ndërkombëtare. Shëngjini është zgjedhur si destinacioni që do të presë më shumë se 7 mijë turistë për UNUM 2019.

Shëngjini do të jetë destinacioni i më shumë se 7 mijë turistëve të huaj nga data 31 Maj deri më 3 Qershor. Në këtë zonë turistike do të mbahet festivali ndërkombëtar i muzikës UNUM 2019. Projekti është prezantuar edhe në prani të ministrit të Turizmit, Blendi Klosi.

Bashkia e Lezhës pranon se kjo është një sfidë e madhe për ta, por që prej muajsh bashkëpunojnë me organizatorët që gjithçka të jetë gati për festivalin dhe sezonin turistik në përgjithësi.

Organizatorët e këtij festivali janë të bindur se kanë zbuluar një vend të mrekullueshëm për të cilin presin t’ua prezantojnë edhe të tjerëve, pasi në fakt të tilla vende duan të eksplorojnë edhe artistët që do të marrin pjesë, pasi në Europë nuk ka të tilla vende.

Promovimi i bukurive natyrore të bregdetit të Shëngjinit nëpërmjet muzikës është një prej arsyeve të këtij organizimi kaq të madh të cilit i janë bashkuar edhe DJ që performojnë në skenat botërore.

Mirëmbajtja e ambientit është një tjetër rëndësi që do të marrë organizimi i këtij festivali, qëllim për të cilin u realizua edhe një fushatë sensibilizuese nga të pranishmit në prezantimin e këtij festivali./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!