Manchester United do të hidhet në sulm në merkaton e janarit. Largimi i Romelu Lukakut ka lënë shumë hapësira bosh në sulmin e ‘Djajve të kuq’. Anglezët kanë kohë që e monitorojnë situatën e sulmuesit të Juventusit, Mario Mandzukic, por orët e fundit ka qarkulluar në media dhe një emër i ri.
Bëhët fjalë për ish-sulmuesin e Manchester Cityt, Edin Dzeko. Kapiteni i Romës është objektivi më i ri për sulmin e United, siç raporton ‘Corriere dello Sport’. Boshnjaku, ndryshe nga kroati, është më i vështirë për t’u arritur, sepse ai konsiderohet i rëndësishëm në ekipin romak.
33-vjeçari firmosi këtë verë një kontratë të re me Romën, deri në vitin 2022. Ekipi i tij ndodhet momentalisht në vendin e pestë në renditje dhe sulmuesi ka shënuar 5 gola në 12 ndeshje. Ndërkohë, nga ana tjetër, Mario Mandzukic është lënë jashtë ekipit nga trajneri Sarri këtë sezon. Mungesa e minutave në fushë mund të jetë arsyeja e vetme që ai mos të transferohet në ‘Old Trafford’ në janar. /abcnews.al