E njohur për rolin Teutës në filmin “Unë, ti dhe Kasandra”, aktorja dhe regjizorja Rozi Kostani rrëfeu në emisionin ‘Pas Mesnatë’ në ABC News, emocionet e përzgjedhjes së saj si pjesë e skenarit.
Megjithatë, Kostani tha se ai rol, në filmin që theu tabu për ekranet shqiptare, do ta përndiqte për vite me radhë, duke u kthyer në stres për të.
“Roli erdhi ditën që unë mora diplomën. Spartak Papadhimitri së bashu me Ermira Gjatën po shikonin ceremoninë dhe Spartaku i thotë ‘ta marrim këtë gocën në audicion’. Por, unë e refuzova roli sepse në skenar ishte një rol seksi, mos harrojmë se ishte viti 1999, dy vite kishim që kaluam nga ’97 dhe ishte ekstrem e vështirë. Dhe i them me keqardhje, por për shkak të kësaj skene, refuzoj.
as një jave më merr zysh Mira në telefon dhe më thotë e kemi hequr këtë skenë. Ajo skenë u bë me duplante dhe unë hyra në një kolaps të tërë. Një përndjekje, nuk di c’të them. E kam kaluar me stres të madh, preva flokët, nuk dilja, nuk doja të më njihnin. Bleva një makinë sepse nuk doja të hipja në autobus. Ishte një përndjekje e pashmangshme, e dhunshme. Ka qenë një periudhë shumë e vështirë, nuk ishte mësuar publiku shqiptar të shihte skena të tilla në ekran.
Nuk finalizohen as puthjet në ekran. Ka qenë periudha më e vështirë e imja. Nuk e kam shijuar fare famën e këtij filmi, sot e kësaj dite dua ta fsheh. Ishte shumë e vështirë edhe për tim shoq, nuk kisha privaci, kjo periudhë më përndoqi edhe pas lindjes së vajzës, në 2003. Tani më duket një botë e largët, sikur s’jam unë.” -u shpreh ajo, ndërsa theksoi se nuk është penduar për këtë rol.
“Kam punuar fort, madje falë armiqësive të forta të miat, më kanë bërë kjo që jam. E kam dëgjuar shpesh këtë ‘faleminderit o armiq se më keni ndërtuar’. Ishte një lloj drame, e izoluar totalisht pas asaj periudhe. Për rolet më pas e kisha lupën shumë të madhe. Teatri ishte ai që unë vërteta gjeta mbështetje.” Vijoi më tej Kostani.