Zlatan Ibrahimovic është ndryshe, në fushë dhe jashtë saj. Sulmuesi nga planeti “Zlatan” nuk mjaftohet me të luajturit futboll. Ai mendon për këtë sport, sikurse edhe shprehet në intervistën e dhënë për GQ Italia. Suedezi është gjithmonë në kërkim të perfeksionit.
“Ka futbollistë që luajnë futboll dhe të tjerë që mendojnë për futbollin. Kur dikush mendon të shpikë një mënyrë re të të luajturit futboll, të tjerët e ndjekin dhe kaq. Mua më pëlqen të bëj një ndryshim, nuk dua të bëj mirë një ose dy gjëra, dua t’i bëj të gjitha”, shprehet Ibra, i cili është pyetur edhe për racizmin në Itali.
“Të veshësh fanellën me shkrimin ‘Jo racizmit’, apo tundja e flamujve ‘Jo racizmit’ është gjë e bukur, por nuk e zgjidh problemin. Më mirë të hiqen pikë, të ndalohen ndeshjet, apo të bllokohet merkato. Kështu rrezikohet të shkohet në Serie B.
Duhet të jesh i rreptë, njerëzit nuk e kuptojnë derisa të paguajnë pasojat. Kur isha në Itali ata më thërrisnin ‘cigan’. Edhe kjo është racizëm, është injorancë, edhe nëse kur më shohin jashtë stadiumit më komplimentojnë dhe më kërkojnë të bëj foto”, ka deklaruar sulmuesi me origjinë boshnjake. /abcnews.al