Sot pritet t’i jepet lamtumira e fundit tre viktimave të krimit të djeshëm në familje, ku një 52-vjeçar vrau prinderit e ish-bashkëjetueses së tij. Ndërkohë kjo e fundit, përmes disa mesazheve në rrjetet sociale ka zbuluar detaje nga tragjedia.
24 orë pas ekzekutimit të trefishtë të ndodhur në kryeqytet, ku ish-dhëndri Majlind Lila qëlloi për vdekje vjehrrin dhe vjehrrën Bujar Matën-63 vjeç dhe Valentina Matën 58 vjeçe dhe më pas u vetëvra, ka reaguar vajza e kësaj familje Nevila Mataj. Kjo e fundit nëpërmjet disa mesazheve të bërë publike në faqen e saj në rrjetet sociale ka zbuluar edhe detaje nga marrëdhënia me ish-bashkëjetuesin e saj, me të cilin ka një vajzë të mitur.
“Nuk mundem të vij. Nuk u shoh dot në sy. Çfarë t’u them që shpëtova veten dhe ju vrava ju. Duhet të isha une në vendin tuaj. Unë e futa atë të sëmurë në jetën tuaj. Çfarë do ju them kur t’u shoh. Pse nuk ju mbrojta dot? Pse mendova vetëm për vete Pse”, shkruante pak orë më parë Nevila.
Ndërkohë në një mesazh të postuar më herët, Nevila Mata o kërkon falje familjes për tragjedinë e krijuar nga ish-bashkëjetuesi. Po në rrjetet sociale ajo shkruan: “Si ju vrava unë ju gjëja ime më e shtrenjtë. Më fal vëlla më falni të gjithe!”. Në faqen e saj në ditët e kaluara, Nevila, nëna e një vajze të mitur ka ndarë në faqen e saj në Facebook dhe shkrime kundër dhunës ndaj grave. Vrasja e trefishtë që tronditi dje mbarë opinionin publik, ndodhi pak para orës 07.00 të mëngjesit në zonën e Astirit, në rrugën “Kristaq Mone”. Shkak i ngjarjes së rëndë dyshohet se ka qenë ndarja e autorit të krimit me vajzën e familjes Mataj.
Dy ditë më parë Majlind Lila ishte kthyer nga Suedia nga ana e autoriteteve vendase. Pas kthimit, duket se edhe janë thelluar konfliktet mes çiftit të bashkëjetuesve dhe Lila dyshohet se bënte përgjegjës prindërit e ish-bashkëjetueses për ndarjen e tyre./abcnews.al