UNDP: Qytetarët e Kosovës më të kënaqur me institucionet – më të gatshëm për protesta politike

schedule15:00 - 28 Korrik, 2021

schedule 15:00 - 28 Korrik, 2021

Një anketim i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, vë në pah se shumica e qytetarëve janë shumë të kënaqur me punën e institucioneve qendrore të Kosovës.

Këto të dhëna janë pjesë e anketimit me emrin Pulsi Publik i kryer nga ky program me mbështetjen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar me 1 mijë e 307 qytetarë në të gjitha komunat e Kosovës.

“Mesatarisht, 51.4 për qind e të anketuarve janë të kënaqur me punën e institucioneve qendrore të Kosovës krahasuar me 27.5 për qind në dhjetor 2020 dhe 42.5 për qind më 3 prill 2020. Kjo e përfaqëson shkallën më të lartë të kënaqshmërisë me punën e institucioneve qendrore të Kosovës të regjistruar ndonjëherë nga Pulsi Publik”.

Rritje e shkallës së kënaqshmërisë sipas raportit është regjistruar edhe në sistemin e drejtësisë.

Sipas këtij raporti, “gjykatat kanë arritur nivelet më të larta të kënaqshmërisë të regjistruara ndonjëherë nga Pulsi Publik me 34.6 për qind të të anketuarve që janë të kënaqur me punën e gjykatave”, një rritje kjo e lartë krahasuar me muajin dhjetor të vitit të kaluar kur ishte 23 për qind.

Sipas raportit 36.7 për qind e qytetarëve të anketuarve do të ishin të gatshëm të protestojnë për arsye politike, që paraqet edhe një rritje krahasuar me muajin dhjetor të vitit të kaluar kur kjo shifër ishte 30.6 për qind.

Anketimi i Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara i cili synon të pasqyrojë opinionet e qytetarëve për situatën në vend, nxjerr në pah po ashtu se qytetarët i kanë radhitur papunësinë, varfërinë dhe korrupsionin si tri çështjet themelore që ndikojnë në mirëqenien e tyre.

“25 për qind e të anketuarve thonë se percepcioni për korrupsion në shkallë të gjerë është i pranishëm në institucionet publike dhe ndërkombëtare në Kosovë, ndërsa Agjencia e Kosovës për Privatizim perceptohet si institucioni më i korruptuar, i pasuar nga Dogana e Kosovës dhe gjykatat”.

Sipas raporti, 64.5 për qind e të anketuarve i kanë formuar opinionet e tyre për korrupsionin përmes mediave të shkruara dhe elektronike, 28.2 për qind përmes bisedave me të afërmit dhe miqtë ndërsa 7.1 për qind e të anketuarve thanë se në opinionet e tyre kanë ndikuar përvojat personale kur atyre iu janë kërkuar para, dhurata ose favore të tjera në këmbim të shërbimeve të caktuara.

Në anketimin e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara lidhur me pasojat nga COVID-19 thuhet se 60.7 për qind e të anketuarve thanë se COVID-19 ka pasur ndikim negativ në mirëqenien e tyre ekonomike, afër 47 për qind në shëndetin e tyre fizik dhe rreth 53 për qind në shëndetin e tyre mendor./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!