Vendosi të sqarojë një herë e mirë se projekti i Unazës së Re do të përmirësohet por nuk do të anullohet.
“Është folur e stërfolur për kosto e për kilometra, por projekti është tejet kompleks dhe me një numër të konsiderueshëm nyjesh e veprash arti në një distance relativisht të shkurtër, po ama në mes të një zone të populluar ku intensiteti i banimit dhe aktivitetit do shkojë duke u rritur. Pra edhe kompleksiteti i projektit ka një arsye të veten shumë legjitime. Informoj për të përhapur çdo mjegull mediatike, se loti i dytë dhe i tretë do të vazhdojnë sipas procedurave të kryera”.
Ministria është e gatshme të rishikojë projektin aty ku duket e nevojshme.
“Kam vendosur organizimin e një tryeze me Bashkinë e Tiranës dhe specialistë që të vlerësojmë në çdo aspekt teknik projektin e lotit 3 – duke mos përjashtuar edhe rishikimin e tij nëse ka vend për një rishikim që e përmirëson projektin – gjë që do ta bëjmë në çdo hap me çdo projekt e në çdo kantier, ku dalin probleme apo lindin ide fituese në të mirë të projektit. Fokusi i këtij vlerësimi do të jetë tek nyja strategjike e quajtur e Shqiponjës, ku çdo marzh sado i vogël përmirësimi do të konsiderohet me shumë seriozitet”.
Po ashtu prishjet e godinave që pengojnë projektin do të vazhdojnë pa asnjë diferencim, sipas ligjit tha ministrja Balluku . Ajo paralajmëron edhe një formë të re tenderimi.
“I kam kërkuar ARRSH që të përgatitet që çdo garë publike e organizuar prej atij institucioni të jetë live, para kamerave dhe publikut”.
Sa i përket Dy projekteve strategjike të PPP-ve për akset Milot – Balldren dhe Orikum – Llogara, do t’i përcillen qeverisë dhe pastaj parlamentit, për të siguruara një debat transparent mbi faktet e shifrat, në sytë e publikut./abcnews.al