Eksperti për pronat e paluajtshme, Fjordi Subashi në “Money Report” në ABC News tha se Shqipëria shihet nga turistët si një vend potencial për të investuar dhe për të blerë një shtëpi, kjo lidhur dhe me çmimet më të leverdishme krahasuar me vendet e tjera të rajonit, si Maqedonia dhe Mali i Zi.
Më tej ai u ndal edhe tek rritja e ndjeshme e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme nga veriu në jug. Megjithëse duket sikur Tirana ka pësuar një stabilitet të rritjes së çmimeve, në zona të caktuara të cilat po pësojnë një zhvillim të dukshëm urbanistik, rritja e çmimeve është më evidente. Fjordi Subashi tregoi tre zonat në Tiranë, të cilat aktualisht po pësojnë rritjen më të lartë të çmimeve, ku metri katror ka kapur vlerat e 1200 eurove.
“Shqipëria për një pjesë të turistëve është një vend i ri për të investuar në raport me rajoni, sigurisht dhe çmimet janë shumë herë më të favorshme për të investuar në krahasim me vendet e rajonit, si Maqedonia dhe Mali i Zi. Këto dy vitet e fundit kemi pasur rritje të çmimeve të pronave deri në 40% nga veriu deri në jug. Por, duhet marrë parasysh se rritja urbanistike dhe komplekseve kanë dikuar në rritjen e çmimeve të apartamenteve.
Tirana ndryshe nga bregdeti nuk është se ka pasur një rritje të lartë të çmimeve, por ka pasur rritje në zonat e caktuara, si Shkoza, Bulevardi i ri dhe Fusha e Aviacionit. Në zonat e tjera ka pasur rritje të çmimeve, me 3-4%, por deri diku edhe është stabilizuar. Zonat e Unazës janë ato që kanë pasur më shumë rritje, çmimi ka shkuar deri në 1200. Deri diku jemi stabilizuar, por nuk përjashtohet rritja në zonat e reja. Qiratë nuk janë të ulëta, por varen nga zona. Shkak është edhe rritja e kërkesës”, tha eksperti./abcnews.al