Disa ditë pas aksidentit tragjik në unazën e qytetit, në Elbasan ku humbi jetën 27-vjeçarja, Miranda Dashëhana, “ABC News” është rikthyer për te parë nëse janë marrë masa për vijëzimin dhe vendosjen e tabelave.
Ky është vendi ku 27 vjeçarja Miranda Dashëhana 10 ditë më parë humbi jetën pasi u mor përpara për afro 140 metra duke i shkaktuar kësaj të fundit vdekjen e menjëhershme.
Edhe pse kanë kaluar disa ditë, nga ai aksident tragjik, autoritetet nuk kanë marrë asnjë masë.
Nga vëzhgimi i ABC News rezulton se përgjatë këtij segmenti rrugor, nga kryqëzimi i luleve deri në fshatin Labinot, mungojnë tabelat, vertikale dhe horizontale për drejtuesit e mjeteve.
Për të kaluar këtë segment me dy korsi, që lidh dy zonat, “Emin Matraxhiu” dhe “Kongresi Elbasanit”, qytetarët kanë edhe këto rrugë që janë improvizuar nga ana e vetë banorëve, në përpjekje për të kaluar këtë segment nga banesat e tyre për në qendrën e qytetit të Elbasanit.
Qytetarët ndihen të rrezikuar.
“Është shumë e rrezikshme. Kalojnë fëmijë që shkojnë në shkollë. Rruga është e frikshme për të kaluar”, u shpreh një qytetar.
“Për ne është shumë e rrezikshme, sepse kalojmë çdo ditë. U bëjmë thirrje që pë këtë rrugë të bëhet diçka”, u shpreh një tjetër qytetar.
“Fëmijët i çojmë e marrim vete, është problem kjo rruga këtu. Aksidenti i datës 12 tetor nuk është i vetmi me pasojë vdekjen”.
Ndërhyrja sipas banorëve është shumë e nevojshme.
“Këtu duhet të ishte me vija të bardha, ose të kishte mbi kalim ose nën kalim. Ka ndodhur shumë raste kur janë vrarë. Pleqtë nuk i lënë të kalojnë vetëm të ulet shpejtësia. Në darke bëjnë edhe xhiro me makina”, tregojnë ata.
Në lidhje me problematikën, që hasin qytetarët, e lagjes “Emin Matraxhiu”, ABC News u interesua pranë Drejtorisë së Transportit Rrugor.
Përgjigja që u mor ishte se kjo rrugë i përket korridorit të 8 dhe nuk është nën administrimin e Bashkisë. Bashkia e ka të pamundur, janë shprehur zyrtarët e kësaj bashkie për të ndërhyrë qoftë me vijëzimin, që duhet të jenë në rrugë për kalimin e këmbësoreve, por edhe për tabelat horizontale.
Pakujdesia është edhe nga qytetarët. Teksa xhironim për këtë kronikë, siç shihet edhe nga pamjet, fëmijët shkëputen nga dora e prindërve, e kalojnë rrugën me shpejtësi.
/abcnews.al/