Antonio Conte mund të largohet nga Interi dhe tifozët, të cilët festuan të dielën titullin kampion, nuk e kanë pritur mirë këtë gjë. Ata kanë protestuar kundër pronarëve të klubit. Zikaltrit kanë probleme financiare dhe presidenti Zhang ka vendosur të ulë shpenzimet.
Një vendim që bie ndesh me ambiciet e mëdha të trajnerit të ekipit, i cili pret të tjera përforcime nga merkato. Por jo. Pagat do të shkurtohen me 15-20% dhe Conte nuk është shumë dakord me politikat e reja të Interit, për më tepër që mund të detyrohet të shesë ndonjë yll të ekipit.
Në Itali janë të sigurt që Conte nuk do të jetë më trajner i Interit pas 48 orësh, ndërsa tifozët kanë reaguar me anë të dy pankartave të mëdha, që janë shpalosur përpara zyrave të kampionëve të Italisë.
“Ndryshim te kampionët bëjnë vetëm trapat. Trajneri, stafi dhe lojtarët janë të paprekshëm“, lexohej në pankartën e parë, ndërsa ultras të Curva Nord kishin përgatitur edhe një tjetër: “Zhang, merr përgjegjësitë e tua ose zhduku nga qyteti“. /abcnews.al