Ultimatumi po skadon, çfarë po ndodh brenda selisë së PD-së? Skenari i Berishës

schedule14:14 - 4 Janar, 2022

schedule 14:14 - 4 Janar, 2022

Nga Juxhin Mustafaraj

Selia blu ka marrë pamje të re 24 orë përpara skadimit të afatit të vendosur nga Komisioni i Rithemelimit për Lulzim Bashën që të lirojë zyrën. Dyerve dhe xhamave transparentë i janë vendosur letra ngjitëse me logot dhe emërtimin e PD, ndërkohë që dera kryesore e goditës është e paaksesueshme.

Edhe numri dy i demokratëve, Gazment Bardhi shmangu hyrjen kryesore për të hyrë në zyrë, duke përdorur derën anësore të PD. Zyrtarisht Partia Demokratike njoftoi se brenda selisë së partisë janë duke u kryer punime në funksion të lyerjes dhe rikonstruksionit të godinës.

Lexo edhe: Basha: Berisha po përgatitet që të sulmojë selinë e PD-së

Por Sali Berisha dhe Komisioni i Përkohshëm i Drejtimit të PD kanë akuzuar kreun e demokratëve se po instalojnë në selinë blu dyer të blinduara për të ndaluar demokratët të hyjnë në seli.

Lexo edhe: Floriana Garo i përgjigjet Bashës: E kupton që fundi është afër

Duke garantuar demokratët se askush nuk do të mbajë peng vullnetin e tyre, Berisha i ftoi ata dhe të gjithë shqiptarët në një protestë kombëtare në 8 janar. Ndryshe nga sa ishte menduar, protesta nuk do të ketë në fokus Edi Ramën dhe qeverinë por kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në posterin elektronik të shpërndarë nga Sali Berisha shkruhet “Jo bunker i pengut, por shtëpi e demokratëve”.

Burime pranë Komisionit të Përkohshëm të Drejtimit të PD bëjnë me dije se në 8 janar më shumë se protagonizmi politik i komisionit, fjalën do ta ketë anëtarësia dhe vullneti i tyre që rezultati i referendumit të 18 dhjetorit të zbatohet.

Që nga 9 shtatori kur edhe nisi përplasja mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishën kjo është hera e parë kur dy aktorët më të rëndësishëm politik në selinë blu vendosin të vendosin demokratët përballë njëri-tjetrit në betejë për marrjen nën kontroll të selisë së Partisë Demokratike./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!