Ulja e qarkullimit të parave cash/ Civici: Kultura e pagesave elektronike s’ka marrë përmasat e duhura, faktorët që ndikojnë

schedule14:30 - 6 Dhjetor, 2023

schedule 14:30 - 6 Dhjetor, 2023

Eksperti për ekonominë, Adrian Civici, duke komentuar uljen e qarkullimit të parave cash, theksoi se duhen marrë një sërë masash nga institucionet financiare për të disiplinuar qytetarët për pagesat elektronike. Për “Money Report”, ai tha se kultura e pagesës online nuk ka marrë përmasat e duhura.

“Duke parë në këndvështrimin e qarkullimit monetar, jemi në një fazë që duhet të reflektojmë një sërë masash jo vetëm të Bankës së Shqipërisë, ministrisë së Financave dhe institucioneve financiare për të disiplinuar nëpërmjet kanaleve bankare qarkullimin monetar, ose kryerjen e pagesave të ndryshme. Krahasimi 4 mujor nuk është periudhë e gjatë për të parë nëse është trend i qëndrueshëm por edhe në frymën e asaj që po ndodh në vendet e botës, sidomos BE dhe rajoni, tendenca është gjithnjë e më tepër që çdo pagesë të kryhet nëpërmjet sistemit bankar duke zvogëluar në minimum paranë cash. Vendet si Suedia, Norvergjia kanë shpallur edhe vitin 2025 si viti cash free. Përjashtim bëjnë vetëm kriptomonedhat që janë kryer në problem për mungesën e transparencës.”, theksoi Civici.

Ai shtoi se për të minimizuar përdorimin e parave cash, shumë vende kanë kufizuar prerjet e mëdha të monedhave. Sipas tij, ka dy arsye se pse trendi i pagesave bankare nuk është ‘përqafuar’ aq sa duhet në vendin tonë, njëra për të mos pasqyruar të ardhurat e sakta dhe e dyta lidhet me kulturën e pagesës.

“Që të vendoset një sistem i tillë, është masë e mirë, kufizuese, shumë vende kanë shkuar deri atje sa kanë kufizuar prerjet e mëdha të monedhave si 500 euro, në SHBA nuk ka monedhë më të madhe se 100 dollarë, kjo ka qenë pikërisht për të frenuar mundësinë e pagesave cash në shuma të mëdha. Është një masë që nëse nuk shoqërohet me masa të tjera, sidomos me kulturën bankare, të bankomatit, do të jetë e vështirë që të funksionojë në një periudhë afatshkurtër. Që njerëzit të kryejnë pagesa mbi 750 euro apo lekë në bazë të pagës mesatare që kemi, njerëzit apo biznese të vogla duhet të kenë llogari dhe depozita bankare që t’i kryejnë këto shërbime.”, tha Civici.

A lidhet kjo me numrin në rritje të turistëve?

“Patjetër, ky është një presion pozitiv se meqenëse një pjesë e turistëve që kanë ardhur dhe shqiptarëve që vijnë për pushime, vijnë me këtë lloj zakoni apo veprimi për të paguar direkt me kartë dhe besoj që në tërësinë e masave që kemi marrë për sistemin e pagesave, edhe zgjerimi i pagesave me kartë dhe përgatitja që kanë shumë biznese, e ka lehtësuar këtë proces. Lidhet me dy elementë, i pari për të mos pasqyruar xhiron dhe të ardhurat dhe një pjesë kanë të bëjnë me nivelin e kulturës bankare apo financiare që kanë pronarët e bizneseve dhe iu duket diçka e vështirë dhe pranojnë pagesa tradicionale”, u shpreh eksperti./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!