Pandemia uli vaksinimin ndaj fruthit tek fëmijët. Mjekët thonë se kjo vjen për shkak të frikës tek prindërit se vaksina shkakton autizëm, megjithëse një gjë e tillë nuk është vërtetuar asnjëherë shkencërisht.
“Gjatë pandemisë ka pasur realisht një rënie. Për shkak të një sërë faktorësh. Frika, fakti që mendonin se vaksina duhej të shtyhej. Prindërit shqiptarë kanë tendencë ta shtyjnë. Është edhe kjo frikë se vaksina shkakton autizëm, që nuk është vërtetuar asnjëherë shkencërisht.”
Mjekja pediatre në qendrën Shëndetësore nr 2 në Tiranë, Sonila Brati thotë se mesatarisht në këtë qendër kryhen mbi 10 vaksina në ditë, por ajo apelon që prindërit nuk duhet të hezitojnë të vaksinojnë fëmijët e tyre. Mjekja thekson se vaksinat janë të mirë studiuara dhe nuk kanë efekte anësore.
“Vaksinat qe ne kemi ne kalendar janë te mirë studiuara. Prindërit nuk duhet te hezitojnë. Arsyet pse fëmijët preken nga fruthi është për shkak te mos vaksinimit.”
Vaksinimi ndaj fruthit pati një rënie në të gjithë botën përgjatë dy viteve të pandemisë. Së fundmi OBSH ka ngritur alarmin se 40 milionë fëmijë nuk u vaksinuan kundër fruthit, prej tyre 25 milionë humbën dozën e parë dhe 14,7 milionë dozën e dytë gjatë vitit 2021.
Edhe në Shqipëri mbulesa vaksinale e fruthit për vitin 2021 zbriti në nivelin e 89%, nga 95% që ishte përpara pandemisë, duke rriskuar kështu infektimin e fëmijëve. Kujtojmë se para pandemisë në vend pati një shpërthim të fruthit, duke shkaktuar edhe humbje jete./abcnews.al/