Ulet norma e interesit, qytetarët dhe bizneset paguajnë më pak për këstet e kredive në lekë

schedule18:11 - 6 Nëntor, 2024

schedule 18:11 - 6 Nëntor, 2024

Banka e Shqipërisë ka ulur për herë të dytë brenda këtij viti normën bazë të interesit duke e çuar atë në 2.75% .Ulja e normës bazë të interesit  është pozitive për  qytetarët dhe bizneset që kanë një kredi në lekë pasi do të paguajnë më pak për këstin e radhës por edhe për kredi marrësit e rinj të cilët përfitojnë kushte më të favorshme.

Nga ky vendim penalizohen ata që kanë depozita në lekë pasi  interesi do të pësoj ulje.

Guvernatori Gent Sejko deklaroi se ky vendim erdhi pasi treguesit janë që niveli i inflacionit  të kthehet në objektiv.

Kreu i bankës Qendrore vlerësoi ndër të tjera ecurinë ekonomike në vend. Për shkak të krizës së çmimeve Banka e Shqipërisë filloi të rriste normën bazë të interesit e cila arriti pikun në një dekadë në  nëntor të vitit 2023, duke arritur  nivelin e 3.25%. Ndërsa ulja e parë e normës së interesit u ndërmor , në korrik në këtij viti  po  me 0.25%.

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

  • të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, nga niveli 3% në nivelin 2.75%;
  • të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 2% në nivelin 1.75%;
  • të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 4% në nivelin 3.75%.

Këshilli Mbikëqyrës gjykon se kjo lëvizje do të krijojë kushte monetare më të përshtatshme për të kontrolluar ndikimin që goditjet afatshkurtra të ofertës mund të kenë mbi inflacionin në të ardhmen. Ajo ilustron gatishmërinë e Këshillit Mbikëqyrës për të reaguar në kohën e duhur dhe në mënyrë simetrike ndaj lëvizjeve të inflacionit në kahun e sipërm dhe të poshtëm të objektivit, si dhe është konsistente me komunikimet tona të mëparshme për të ndjekur një politikë monetare të udhëhequr nga informacioni i ri.

Këshilli Mbikëqyrës vëren se balanca e përgjithshme e presioneve afatmesme po afrohet gradualisht drejt objektivit tonë të inflacionit në afatin e mesëm.

Në këtë kontest, ai thekson se vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri, dhe në veçanti nga analizat dhe vlerësimet mbi ecurinë e presioneve të brendshme inflacioniste.

Këto vendime do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, si dhe konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!