Përpjekja e re e Agjencisë Hapësinore Amerikane, për të ulur një robot në Mars, është kurorëzuar me sukses. Sonda “INSAJT” preku terrenin e planetit të largët në orën 20 e 54 të së hënës dhe transmetoi sinjalin e funksionimit pak minuta më vonë, duke çuar në delir operatorët e NASA-s.
Agjencia hapësinore amerikane, NASA, ka ulur me sukses mbrëmjen e së hënës robotin e ri në planetin Mars. Operacioni u përjetua me tensione për 7 minuta, koha kur sonda “INSAJT” u shkëput nga platforma që e çoi deri në Planetin e Kuq. Misioni i “INSAJT” është të studiojë përbërjen e Marsit, aspektin gjeologjik të tij dhe tërmetet, për ta bërë planetin e dytë më të studiuar në botë pas Tokës.

Mjeti u ul në orën 20 e 54 minuta dhe me të ardhur konfirmimi, operatorët e zyrës së NASA-s në Kaliforni shpërthyen në brohoritje. Roboti u ul në një terren të sheshtë, në afërsi të ekuatorit të Marsit. Fazë pas faze dhe metër pas metri, roboti raportoi progresin e tij. Ai hyri në atmosferë më shpejt se një plumb me shpejtësi të lartë, duke kombinuar efektet e temperaturës, parashutës dhe raketave për të mundësuar një ulje të lehtë në orën 20 e 54 dhe duke dërguar sinjalin “BIP” për të treguar se është në gjendje funksionale dhe gjithashtu foton e parë nga sipërfaqja në orën 21 e 1 minutë. Jetike për vazhdimin e misionit të sondës “INSAJT” në terrenin e vështirë të Marsit është aktivizimi i paneleve të saj diellore, të cilët u fikën gjatë uljes. Robotit i duhet të gjenerojë energji për të vënë në punë sistemet dhe për të ngrohur pajisjet e tij në temperaturat nën zero që mbizotërojnë në Planetin e Kuq. /abcnews.al

