Nga Erblina Mile
Ulen pagat në vend. Të dhënat e INSTAT tregojnë se përgjatë tremujorit të tretë të këtij viti paga mesatare bruto është ulur me 0.5% për herë të parë që prej periudhës së pandemisë.
Në këtë mënyrë rezulton se shqiptarët u paguan me rreth 300 lekë më pak se në tremujorin e dytë. Rënia është ndikuar nga ulja e pagave në sektorin e informacionit dhe komunikacionit .
Nga të dhënat konstatohet se një pagë më të ulët në krahasim me tre muaj më parë kanë marrë edhe punonjësit në bujqësi.
Ndërkohë në sektorin e ndërtimit kemi një rritje të pagave në tremujroin e tretë. Por niveli mesatar i pagave në ndërtim krahasuar me tre vjet më parë është në rënie.
Tendencë kjo që nuk reflekton ecurinë në këtë sektor I cili ka pasur një shtim me disafish të lejeve të ndërtimit INSTAT konfirmon se paga në sektorin e ndërtimit në tremujorin e tretë të këtij viti ka qenë mesatarisht 43.433 lekë, nivel ky më i ulët se paga mesatare e sektorit tre vjet më parë kur paga mesatare në ndërtim ka qenë 43.749 lekë. Në vijim paga mesatare e ndërtimit në tremujorin e tretë të vitit 2019 ka rënë edhe më tej në 41.715 lekë për të mbetur në të njëjtat nivele në 2020 dhe për të pësuar një rritje të lehtë në 2021 kur ka shkuar 43.433 lekë, pra duke mbetur më e ulët se tre vjet më parë.
Bumi në ndërtim duket se nuk është përkthyer në përfitim për punonjësit e këtij sektori./abcnews.al