Europa mbetet destinacion për azilkërkuesit. Por në krizën e Coronës shifrat e tyre kanë rënë ndjeshëm. Ekspertët mendojnë, se ky është një pushim afatshkurtër. Kriza e Coronës do sjellë varfëri e më shumë migracion.
Numri i kërkesave për azil në BE, sipas raportimeve në media ka rënë ndjeshëm në katër muajt e parë të këtij viti. Gazeta “Welt” duke u bazuar në të dhënat e papublikuara deri tani të autoritetit të azilit në BE, EASO, raporton, se në BE, Zvicër e Norvegji kërkesat për azil kanë rënë me 25% nga janari në prill.
Spanja e para, Gjermania e dyta
Sipas të dhënave të EASO, nga janari deri në prill kanë bërë kërkesë për azil 164.718 persona. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ishin 221.207 vetë. Shumica e kërkesave për azil janë shtruar në Spanjë me rreth 37.471, e kryesisht ato vijnë nga migrantë nga Kolumbia, Venezuela e Hondurasi.
Në vend të dytë të kërkesave për azil renditet Gjermania me 33.714 azilkërkues në këtë periudhë. Shumica e azilkërkuesve në Gjermani vijnë nga Siria, Iraku dhe Afganistani. Pas Gjermanisë renditet Franca me 28.710 azilkërkues në këtë periudhë, Greqia me 21.153 azilkërkues e Italia me rreth 8000 kërkesa. Më pak azilkërkues ka në Estoni, 19 vetë në këtë vit.
EASO pret rritjen e fluksit të azilkërkuesve
Në kuadër të pasojave të pandemisë së Coronës, ekspertët e EASO-s presin në një të ardhme të afërt më shumë refugjatë në Europë. Për shkak të kufizimeve të udhëtimit për ndalimin e përhapjes së virusit në mars u shtruan gati gjysmë më pak kërkesa se në shkurt, por shpërthimi i COVID-19 në Lindjen e Afërt e në Afrikën Veriore pritet të sjellë më shumë uri, destabilizim të sigurisë dhe në fund grupime të tillë si IS-i mund të forcohen. Kjo në një të ardhme jo të largët mund të çojë në “rritjen e migracionit të lidhur me azilkërkimin”, thonë ekspertët e EASO-s.DW