Ulen eksportet dhe importet/ Shkak, rënia e euros. Në qershor, eksporti i ushqimeve është rritur

schedule12:06 - 18 Korrik, 2023

schedule 12:06 - 18 Korrik, 2023

Eksportet kanë vijuar rënie dyshifrore edhe gjatë qershorit ndikuar së tepërmi nga zhvlerësimi i fortë i euros, por edhe rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Të dhënat e fundit të Instat tregojnë se vlera e eksporteve në qershor arriti në 38 miliardë lekë, duke u tkurrur me 17.3% krahasuar me një vit më parë.

Ndërsa si raport 6-mujor, vlera e mallrave të eksportuara në vendet partnere arriti në 234 miliardë lekë, duke u ulur me 7.4% në pjesën e parë të vitit.

Ndikimin më të madh në frenimin e eksporteve muajin e kaluar e dhanë grupet e materialeve të ndërtimit që shënuan edhe rënie të konsiderueshme, ndjekur nga mineralet e lëndët djegëse si dhe tekstilet e këpucët, që janë edhe grupi më I madh eksportues në vend.

Qeveria ka miratuar ndërkohë aktin normativ duke shtyrë pagesën e tatimfitimit për t’iu ardhur në ndihmë eksportuesve që po preken nga dobësimi i fortë i euros.

E kundërta ka ndodhur me mallrat ushqimore pasi ishin i vetmi grup eksportet e të cilave u rritën me 4.6% përgjatë qershorit. Sa i takon vendeve drejt të cilave Shqipëria ka shënuar rritje të eksporteve  janë Italia, Greqia dhe Spanja.

Të njëjtin trend kanë ndjekur edhe importet, duke u ulur me 7.5% muajin e kaluar, ndërsa ka qenë me e moderuar rënia si raport 6-mujor. Vlera totale e mallrave të importuara në fund të qershorit arriti në 439 miliardë lekë.

Ndërsa deficiti tregtar, pra diferenca eksport-import arriti në 204 miliardë lekë në pjesën e parë të vitit, duke u rritur me gati 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!