Një nga deputetet më të njohura të Parlamentit ukrainas, Nadija Savçenko është arrestuar nën dyshimin se po planifikonte një sulm terrorist ndaj këtij institucioni dhe se po mbështeste një grusht shteti. Ish-pilotja e helikopterëve ushtarakë ishte shpallur heroinë kombëtare pasi kishte kaluar dy vjet në një burg rus, pasi ishte kapur duke luftuar kundër rebelëve separatistë në lindje të Ukrainës. Por këtë të enjte ligjvënësit e kanë parë atë në një video ku përpara dy oficerëve rrëfente planet e saj për të sulmuar parlamentin. Vetë Savçenko qeshi dhe nuk e vuri në dyshim origjinalitetin e videos. Ajo tha se qeveria e korruptuar e Ukrainës duhej rrëzuar, por e cilësoi akuzën për komplot një “provokim”. Në vitin 2016 asaj i ishte dhënë vlerësimi më i lartë ushtarak i Ukrainës, Urdhëri i Yllit të Artë, pasi ishte liruar nga një burg i rusisë në kuadër të një shkëmbimi të të burgosurve. Por për kryeprokurorin ukrainas, Jurij Lutsenko, nuk ka asnjë dyshim se 36-vjeçarja po përgatiste një sulm terrorist të përmasave të mëdha në Kiev. Ai e akuzoi atë se kishte bërë një marrëveshje me rebelët pro-rusë për të siguruar armatimet e duhura për sulmin, si mortaja të kalibrit 120 mm, pushkë snajper, pistoleta dhe granata luftimi./abcnews.al
Ukrainë, heroina e luftës arrestohet për terrorizëm
schedule19:34 - 22 Mars, 2018
schedule 19:34 - 22 Mars, 2018