Ukrainë, faqet e internetit të qeverisë bien pre e sulmeve kibernetike

schedule15:38 - 14 Janar, 2022

schedule 15:38 - 14 Janar, 2022

Bashkimi Evropian dënoi të premten sulmin masiv kibernetik ndaj një numri uebfaqesh të qeverisë ukrainase.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borrell tha se kishte thirrur një takim urgjent për të “parë mundësitë për reagim dhe se si mund t’i ofrohet ndihmë teknike Ukrainës në mënyrë që të rrisë kapacitetin e saj mbrojtës”.

“Ka pasur sulme kibernetike kundër Ukrainës këtë mëngjes. Duhet një reagim i fortë. Ne thirrëm këtë mëngjes një takim urgjent për të parë se si mund të reagojmë dhe t’i ofrojmë ndihmë teknike Ukrainës në mënyrë që të rritet kapaciteti i saj për tu përballur me sulme të tilla”, deklaroi zoti Borrell.

Kur u pyet nga gazetarët se kush fshihej pas këtij sulmi masiv, Borrell tha se BE-ja po hetonte, por ai kishte një dyshim.

“Sigurisht, nuk mund të akuzoj askënd, nuk kam asnjë provë, por ju mund ta imangjinoni…”, tha shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian.

Zyrtarët ukrainas njoftuan se nga një sulm kibernetik, përkohësisht shumë faqe të qeverisë në internet janë të padisponueshme. Ky sulm vjen në një kohë kur tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit janë rritur, ndërsa pas bisedimeve gjatë kësaj jave nuk u arrit ndonjë marrëveshje.

Moska nuk ka reaguar për këtë zhvillim të fundit, por nga ana tjetër ka mohuar përfshirjen në sulmet kibernetike kundër Ukrainës. Faqet e internetit të 7 ministrive, Thesarit, Shërbimit Kombëtar të Emergjencave dhe faqet në internet të shërbimeve shtetërore, ku ruhen pasaportat elektronike dhe certifikatat e vaksinimit të ukrainasve, ishin të padisponueshme të premten si rezultat i sulmit kibernetik.

Në këto faqe internet mund të lexohej një mesazh në gjuhën ukrainase, ruse dhe në gjuhën polake ku thekohej: “Kini frikë dhe prisni më të keqen. Kjo është për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tuaj”.

Shërbimi Shtetëror i Komunikimit dhe Mbrojtjes së Informacionit të Ukrainës tha të dhënat personale ishin të sigurta, pasi “regjistrat nuk janë prekur nga hakimi”.Ky sulm kibernetik vjen ndërsa Rusia, e cila ka grumbulluar më shumë se 100 mijë trupa në kufirin e fqinjit të saj, publikoi pamje televizive nga nisja e një stërvitje ushtarake./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!