Kryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko dha sot zyrtarisht dorëheqjen, pasi Parlamenti ukrainas miratoi largimin e saj, si pjesë e një riformatimi qeveritar të iniciuar nga presidenti, Volodymyr Zelensky.
Parlamenti njoftoi se rezoluta për miratimin e dorëheqjes së Svyrydenkos u miratua. Riformatimi u bë publik të dielën nga Zelensky, i cili tha se ai është pjesë e një “strategjie të re politike”, pa dhënë hollësi të mëtejshme.
Presidenti ende nuk ka shpallur emrin e pasuesit të saj.
Pas votimit, Svyrydenko falënderoi qytetarët për mbështetjen, duke e cilësuar si nder shërbimin ndaj Ukrainës.
Në një mesazh në rrjetet sociale, të shoqëruar me një fotografi nga salla e parlamentit, ajo shkroi “Faleminderit të gjithëve për mbështetjen. Ishte një nder të punoja për Ukrainën”.
Në një deklaratë tjetër, ish-kryeministrja mbrojti bilancin e qeverisë së saj, duke theksuar menaxhimin e krizës energjetike gjatë dimrit të kaluar, pavarësisht dëmeve të shkaktuara nga sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike, si dhe përparimin në rritjen ekonomike.
Zelensky deklaroi të dielën se i është mirënjohës Svyrydenkos për punën e saj dhe bëri të ditur se i ka propozuar të drejtojë një fushë të re të rëndësishme të marrëdhënieve me një partner kyç të Ukrainës, pa zbuluar detaje.
Sipas mediave ukrainase, ndër kandidatët për të marrë drejtimin e qeverisë përmenden ish-kryeministri dhe ministri aktual i Energjisë, Denys Shmyhal, ministri i Transformimit Digjital, Mykhailo Fedorov, kryetari i bashkisë së Kharkivit Ihor Terekhov dhe drejtori i përgjithshëm i kompanisë shtetërore “Naftogaz”, Serhii Koretsky.



