Ukrainasit e zhvendosur reflektojnë mbi realitetin e ri në vendin e tyre

schedule19:59 - 19 Prill, 2022

schedule 19:59 - 19 Prill, 2022

Në një bllok banimi të kohës sovjetike në qytetin Lviv, çdo apartament ka një histori lufte. Aty jetojnë familje që u larguan nga qytete të shkatërruara si Buça, Irpini e Kharkivi. Nga fillimi i luftimeve rreth 500 mijë, nga 10 milionë ukrainaist e zhvendosur, janë larguar në drejtin të Lvivit. Disa kanë filluar të përshtaten. Ndërsa jetojnë mes një të ardhmeje të pasigurt, shumica duan të kthehen në shtëpi, nëse ajo nuk është rrafshuar nga sulmet ruse.

Rreth 50 persona të zhvendosur nga shtëpitë e tyre kanë gjetur strehim në ndërtesën nëntë katëshe në bulevardin Trylovskoho në Lviv të Ukrainës.

Marta Kopan është gati në muajin e nëntë të shtatzanisë, ndërsa jeton me familjen në apartamentin e një të afërmi të saj.

AJeta e saj, ashtu si e shumë ukrainasve ndryshoi pas sulmit. Qyteti ku ajo priste të lindte është bombarduar.

“Më 24 shkurt, jeta jonë e lumtur mori fund. Më kujtohet rreth orës katër, djali i madh erdhi në dhomë dhe më tha se është shumë i frikësuar. Zhurmat përreth ishin të tmerrshme’, thotë 36 vjeçarja Kopan, e zhvendosur nga kryeqyteti ukrainas, Kiev.

Tani ajo ndodhet gati 500 kilometra larg shtëpisë së saj. Ajo dhe burri i saj nuk duan që të largohen nga Ukraina. Të dy janë mjekë dhe duan të ndihmojnë vendin e tyre.

Olha Salivonchuk është nga Lvivi. Ajo nuk është larguar nga shtëpia, edhe pse valixhet i ka gati ,që nga nëntori.

Sikur edhe shumë ukrainas, ajo i mori seriozisht deklaratat e Perëndimit për sulmin e Rusisë dhe paketoi rroba, ilaçe, ushqime dhe dokumente.

Ajo emocionohet kur kujton 24 shkurtin dhe momentin kur kuptoi se sulmi i Rusisë kishte filluar.

“Herët të mëngjes bashkëshorti më zgjoi dhe më tha ‘filloi’… Kurrë nuk je gati për këtë gjë, edhe nëse i bën gati valixhet. Është e pamundur të jesh gati për luftë”, thotë ajo.

41 vjeçarja thotë se në fillim apartamentet u zbrazën, por pastaj kur u kuptua se Lvivi nuk ishte objekt sulmesh, njerëzit filluan të kthehen.

Ndonjëherë bombardimet ndjehen në apartamentin e Olhës, por ajo nuk mendon të largohet jashtë Ukrainës. Familja e saj ka jetuar në Lviv për gjenerata të tëra, ndërsa ajo jeton në këtë apartament prej shumë vitesh.

Sa herë që bien sirenat e bombardimeve, ajo së bashku me burrin dhe vajzën 13 vjeçare futen në një strehë të improvizuar në korridor.

33 vjeçarja Iryna Sanina është një e zhvendosur tjetër e cila me bashkëshortin e saj Volodymyr-in u larguan nga qyteti Irpin, disa ditë pasi kishin ngelur të ngujuar mes luftimeve të forcave ukrainase dhe atyre ruse.

Tani ata ndajnë apartamentin me 4 persona të tjerë, kolegë të tyre në një kompani ilaçesh.

Iryna dhe Volodymyri thonë se gjithçka që duan është kthimi në shtëpinë e tyre, të cilën thonë se sado e shkatërruar do ta rindërtojnë.

“E kuptojmë se gjithçka është shkatërruar, por atje jemi rritur”, thotë Volodymyri. “Dua të shkoj në shtëpi. Do të mbledhim tullë pas tulle”, përfundon Iryna.

28 vjeçarja Olya, bashkëshorti i saj, Sasha dhe vajza 8 vjeçare Zlata shqetësohen se shtëpia që e kishin blerë para gjashtë muajsh është shkatërruar sikur pothuajse çdo gjë tjetër në Kharkiv.

Në ditën e parë të sulmit rus, ishin duke ecur në qytet kur kur dëgjuan bombardimet e para. Ata u detyruan të strehohen në stacionin e metrosë, së bashku me qindra banorë të tjerë.

Vite më parë, Olya u largua nga luftimet në rajonin e Donjetskut në lindje të Ukrainës.

Ajo përvojë e mësoi që të ruajë qetësinë. Por ajo është e tronditur nga ndikimi i propagandës ruse tek familjarët e saj. Ajo mezi flet me prindërit e saj në Donjetsk, të ndikuar nga keqinformimi i Rusisë mbi luftën.

Është e vështirë të binden se Ukraina nuk është duke sulmuar popullin e saj, thotë ajo.

Gjetja e një vendi për t’u strehuar në Lvivin e mbingarkuar ishte e vështirë. Disa pronarë shtëpish nuk pranonin kafshët shtëpiake, ose vetë Sashën, sepse shumica presin, që burrat e moshës së tij, të jenë duke luftuar. /VOA