Ukraina trefishoi prodhimin e armëve gjatë vitit të kaluar

schedule13:55 - 25 Shkurt, 2024

schedule 13:55 - 25 Shkurt, 2024

Ukraina ka trefishuar prodhimin e saj të armëve vitin e kaluar dhe sot 500 kompani janë aktive në sektorin e mbrojtjes të vendit. Kievi po kërkon mënyra për të forcuar mbrojtjen e tij kundër pushtimit rus dyvjeçar, duke përfshirë rritjen e prodhimit vendas të armëve.

Oleksandr Kamyshin tha gjatë një konference në Kiev se 100 kompani shtetërore dhe 400 kompani private po marrin pjesë në përpjekje dhe se Ukraina planifikon të “rrisë ndjeshëm prodhimin e municioneve” këtë vit.

Nga ana e tij, Ministri ukrainas i Tranzicionit Dixhital, Mykhailo Fedorov, deklaroi se 90% e dronëve të përdorur në terren kundër forcave ruse prodhohen në Ukrainë. Në të njëjtën telekonferencë, ministri i Brendshëm i vendit Ihor Klimenko deklaroi gjithashtu se asnjë armë e vetme nuk ka kaluar kufirin nga Ukraina në BE gjatë luftës dyvjeçare.

Rreth 50% e dërgesave perëndimore të armëve në Ukrainë nuk arrijnë në kohë, theksoi ministri ukrainas i Mbrojtjes Rustem Umerov.

Ushtria ukrainase, duke u përballur me një situatë jashtëzakonisht të vështirë në front, ka tërhequr forcat e saj nga Avdiivka, në pjesën lindore të vendit, pas muajsh luftimesh të ashpra, duke përmendur mungesën e municioneve dhe ushtarëve.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka kërkuar vazhdimisht aleatëve të tij perëndimorë ditët e fundit që të dërgojnë në kohë ndihma, duke kërkuar në mënyrë specifike municione, më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe avionë luftarakë.

Presidenti ukrainas vlerësoi gjithashtu se vonesat në dërgesat e armëve kontribuan në dështimin e kundërofensivës të Kievit në verën e vitit 2023.

/abcnews.al