Ukraina thirrje burrave jashtë vendit të kthehen për të luftuar në atdhe

schedule15:49 - 21 Dhjetor, 2023

schedule 15:49 - 21 Dhjetor, 2023

Burrave ukrainas nga mosha 25 deri në 60 vjeç, të cilët jetojnë jashtë vendit, u është kërkuar të paraqiten për shërbimin ushtarak.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov, i cili e përshkroi këtë si një ftesë, por sugjeroi se do të ketë sanksione kundër çdokujt që nuk do të paraqitet.

“Po diskutojmë ende se çfarë do t’u ndodhë atyre që nuk vijnë vullnetarisht”, tha në një intervistë për mediat gjermane. Deklarata vjen pak ditë pasi Presidenti Volodimir Zelenski tha në konferencën e fundvitit se rreth 500 mijë trupa do të nevojiteshin për të vijuar luftën kundër pushtuesve rusë, e megjithatë ai tha se ende nuk kishte një vendim për atë që e quajti çështje delikate.

Sipas informacioneve, 650 mijë burra ukrainas në moshë ushtarake janë larguar nga vendi që kur Rusia nisi luftën e plotë, 200 mijë prej të cilëve në Gjermani.

Mes raportimeve se kundërofensiva ka ngecur, ushtria ukrianase raportoi të enjten se kishte frenuar armikun në betejën për qytetin lindor të Avdivkës. Qyteza në lindje të Ukrainës ka qenë në qendër të një sulmi madhor të Rusisë që prej muajit tetor, me trupat ruse që kanë fituar terren.

Por, në përditësimin e fundit, Kievi tha se i kishte shkaktuar humbje të mëdha pushtuesve.

Sakaq, forcat ajrore ukrainase bënë më dije se kishin parandaluar një valë masive sulmesh gjatë natës që shënjestruan 12 rajone ukrainase. Forcat Ajrore raportuan se përgjatë disa orëve kishin rrëzuar 34 nga 35 dronët iranianë të lëshuar mbi vend, përfshirë Kievin. E megjithatë, dëme u raportuan në një magazinë pranë kryeqytetit.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!