Ukraina, Stoltenberg i kërkon Rusisë të tërheqë trupat ushtarake

schedule19:37 - 30 Tetor, 2019

schedule 19:37 - 30 Tetor, 2019

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka nisur një vizitë dy ditore në Ukrainë nga ku i ka bërë thirrje Rusisë të tërheqë trupat ushtarake nga veriu i këtij vendi. Në portin e Odesës ishin katër anije të NATO-s, shenjë sipas Stoltenberg e mbështetjes për tërësinë territoriale të Ukrainës.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg i kërkoi Rusisë të tërheqë trupat e saj nga Lindja e Ukrainës, një ditë pas tërheqjes së ushtarëve ukrainas dhe rebelëve pro-rusë nga sektori kyç i linjës së frontit.

“NATO e thotë qartë se Rusia ka një përgjegjësi të posaçme në zbatimin e marrëveshjes së paqes së Minskut dhe ajo duhet të tërheqë të gjitha trupat e saj, të gjithë oficerët nga lindja e Ukrainës dhe të ndalë destabilizimin e këtij territori”? Kështu ka deklaruar Jens Stoltenberg gjatë vizitës së tij në Odesë në jug të Ukrainës.

Kievi dhe Perëndimi akuzojnë Rusinë se ka furnizuar me armë separatistët pro-rusë dhe ka çuar trupat e saj në veri të Ukrainës, ku rreth 13 mijë persona janë vrarë prej fillimit të konfliktit  prej 5 vitesh.

Moska ka hedhur gjithnjë poshtë akuzat për implikim ushtarak pavarësisht konstatimeve të shumë mediave. Të martën, me nxitjen e presidentit të ri të Ukrainës Volodimir Zelenski që ka premtuar rikthimin e paqes, Kievi dhe separatistët kanë nisur prej të martës tërheqjen e trupave në një sektor të vogël të linjës së frontit.

Akti është përshëndetur nga sekretari i NATO-s i cili kujtoi se ka ende rrugë të gjatë për të bërë, sepse ka gjithmonë dhunime të armëpushimit. Stoltenberg dha një deklaratë për mediat në portin e Odesës ku katër anije të NATO-s kanë mbërritur, shenjë sipas Stoltenberg e një fronti mbështetjeje për sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Ukrainës.

Në krah të tij zv/kryeministri i Ukrainës Dmitro Kouleba nënvizoi objektivin ambicioz të vendit të tij për përmbushjen brenda 5 viteve të kritereve për anëtarësim në NATO, një projekt që irriton Rusinë fqinje.

Dera e NATO-s mbetet e hapur ka thënë Stoltenberg gjatë një takimi me student ukrainas. Ish-Republika Sovjetike e Ukrainës është në krizë me Moskën pas aneksimit nga Rusia në 2014-ën të gadishullit të Krimesë. Në vizitën dy ditore në Ukrainë, shefi i NATOs do takojë presidentin Zeleneski dhe do mbajë një fjalë në parlamentin Ukrainas./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!