Ukraina ka raportuar për fitore të shumta në kundërofensivën ndaj forcave ruse, ndërkohë që presidenti i vendit, Volodymyr Zelensky, përgatitet për një takim me presidentin e SHBA-së, Joe Biden.
Takimi i planifikuar për javën e ardhshme mund të rezultojë i rëndësishëm për sigurimin e mbështetjes së mëtejshme ndërkombëtare për Kievin në luftën kundër Rusisë.
Në orët e vona të 14 shtatorit, disa media cituan zyrtarë amerikanë të paidentifikuar duke konfirmuar se Bideni do të takohej me Zelenskyn në margjinat e takimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në SHBA javën e ardhshme, shkruan REL.
Liderët e SHBA-së dhe Ukrainës priten të flasin në sesionin e 78-të të mbledhjes së OKB-së, më 19 shtator.
Zelensky pritet ta përdorë takimin e tij me liderët amerikanë dhe botërorë për të siguruar mbështetje dhe për të kërkuar armë dhe municione të avancuara, ndërsa pushtimi i Ukrainës nga Rusia po i afrohet muajit të 20-të.